Klodian Tomorri

Shumica e debatit publik për rritjen e çmimeve të referencës është fokusuar tek efekti që ajo do të ketë në rritjen e taksës së pronës, të cilën familjet e paguajnë çdo muaj në faturën e ujit. Por kjo është fatura më e vogël. Efekti më i rëndë i rritjes së çmimeve të referencës është në çmimet e banesave.

Konsideroni vetëm një shembull. Në Unazën e re, çmimi i referencës për nje metër katrorë ndërtim ishte 65 mijë lekë. Por me vendimin e ri të qeverisë ai u bë 114.3 mijë lekë.  Çfarë efektesh ka kjo?

Për çdo metër katrorë që shiste në Unazën e re, deri dje ndërtuesi paguante 5200 lekë (65000*8%), taksë ndikimi në infrastrukturë. Për çdo metër ndërtim që do shesë nga sot e tutje në Unazën e re, ndërtuesi do të paguajë 9144 lekë taksë ndikimi në infrastrukturë.

Pra vetëm nga efekti që rritja e çmimeve të referencës ka në taksën e ndikimit në infrastrukturë, kosto e aparartamenteve në Unazën e re rritet minimalisht me 4 mijë lekë ose 38 euro për metër katrorë. Por ky është vetëm njëri nga zërat.  

E njëjta gjë ndodh edhe me taksën e strehimit social. Edhe kjo taksë ashtu si ajo e ndikimit në infrastrukturë është e lidhur direkt me çmimet e referencës. Vijojmë me shembullin e mësipërm.  

Për çdo metër katrorë të ndërtuar në Unazën e Re, deri dje ndërtuesi paguante 1950 lekë (65000*3%) si taksë për strehimin social. Për çdo metër katrorë të ndërtuar nga sot e tutje në Unazën e re, ndërtuesi do të paguajë 3429 lekë si taksë për strehimin social. Pra 1479 lekë ose 14 euro më shumë për metër katrorë si taksë për strehimin social.

Vetëm nga këto dy taksa, kosto e apartamenteve në Unazën e re rritet minimalisht me 55 euro për metër katrorë. Por në zona të caktuara kostoja e apartamenteve rritet deri në 100 euro për metër katrorë, pa përfshirë koston shtesë të kapitalit.

Qytetarët duhet të kenë të qartë diçka. Kjo nuk është kosto që do ta paguajnë ndërtuesit, por është kosto që do të përcillet direkt në çmimin e shitjes së apartamenteve. Dhe shtesa në çmim do të jetë më e lartë se sa 100 euro për metër katrorë për shkak të efekteve zinxhir, që sjell rritja e taksave.

Tirana është një nga qytetet me të shtrenjta në glob për çmimet e banesave në raport me të ardhurat mesatare të popullsisë. Me këtë rritje drastike taksash, blerja e një banesë për shumicën dërrmuese të familjeve do të jetë edhe më e pamundur.

Me një vendim të beftë, pa e konsultuar me askënd, dhe ne pikun e vapës së gushtit, qeveria shtrenjtoi me mbi 100 euro për metër katrorë çmimet e apartamenteve. Në mes të vitit.

Kjo nuk është politikë fiskale, por një marrëzi tatimore. Dhe sot qytetarët duhet të kenë të qartë diçka. Sot, kur blejnë një apartament modest, mbi 300 euro për çdo metër katrorë ja u merr bashkia si taksë. Dhe me ccmimet e aapartamenteve në Tiranë, sakaq të papërballueshme pyetja shtrohet: A e ka marrë parasysh qeveria efektin që rritja e taksave mund të ketë në rrëzimin e tregut?