Operatorët ekonomikë dhe agjensitë spedicionere ankohen, ndërkohë Drejtoria e Përgjithshme e Doganave dhe dega e Durrësit ia kalojnë përgjegjësinë njëra-tjetrës duke mos ofruar asnjë zgjidhje alternative për kërkesat e bizneseve që operojnë në port.

Prej rreth dy javësh kërkesat e shoqatës së agjensive detare e spedicionere, transportuesve dhe pronarëve të anijeve drejtuar Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave kanë rënë në vesh të shurdhët. As drejtori i këtij institucioni, Flamur Gjymishka dhe as vartësi i tij, kreu i doganës së Durrësit Jaçe Hysolli, nuk marrin mbi vete përgjegjësinë për hartimin dhe zbatimin e një procedure absurde, të ashtuquajtur Procedurë e Thjeshtuar, por që është kundërshtuar ashpër nga biznesi për vonesat dhe koston financiare që shkakton.

I kontaktuar në telefon nga “Dyrrah” Flamur Gjymishka, drejtori i Përgjithshëm i Doganave deklaroi se nuk është në dijeni të ankesave të operatorëve ekonomikë në portin e Durrësit. Ai mohoi gjithashtu të kishte dijeni për peticionin e firmosur nga operatorët ekonomikë, ku këta të fundit parashtrojnë arsyet se pse e kundërshtojnë aplikimin e procedurës së re doganore, madje mohoi edhe takimin që shoqata e agjensive detare e spedicionere ka zhvilluar dy javë më parë me të.

I kontaktuar në telefon nga “Dyrrah” Flamur Gjymishka, drejtori i Përgjithshëm i Doganave, deklaroi se nuk është në dijeni të ankesave të operatorëve ekonomikë në portin e Durrësit. Ai mohoi gjithashtu të kishte dijeni për peticionin e firmosur nga këta të fundit ku parashtrohen arsyet se pse e kundërshtojnë aplikimin e procedurës së re doganore, madje mohoi edhe takimin që shoqata e agjensive detare e spedicionere ka zhvilluar dy javë më parë me të

“Nëse kanë ndonjë problem, bizneset të kontaktojnë me drejtorin e doganës në Durrës, pasi ai duhet të gjejë një zgjidhje. Edhe ju problemin zgjidheni me drejtorin e Doganave në Durrës, jo me drejtorinë e Përgjithshme”, – tha Gjymishka gjatë bisedës telefonike. Po ndërsa Gjymishka ia lë përgjegjësinë e zbatimit të kësaj procedure vartësit të tij në Durrës, ky i fundit një javë më parë pati deklaruar për “Dyrrah” se ishte i detyruar të zbatonte një procedurë të tillë, e cila ishte hartuar nga shefat e tij në Tiranë.

“Është udhëzim i Drejtorit të Përgjithshëm të Doganave,  i cili e ka parë që janë pjekur kushtet që anijet të futen tek ky modalitet i ri i mbikqyrjes mbi lëvizjen e mallrave në zonën doganore. Unë nuk jam në dijeni pse e kundërshtojnë. Unë nuk kam të drejtë të them që kundërshtimi i tyre është apo jo i drejtë. Unë përfaqësoj një strukturë që zbatoj çdo procedurë që buron nga maja e piramidës deri poshtë”,- tha një javë më parë Jaçe Hysolli.

Duket se në këtë lojë kungulleshkash mes Gjymishkës dhe Hysollit, ku secili mundohet të ngecë topin në rrjetën e tjetrit, të dëmtuar dalin operatorët ekonomikë që operojnë në portin më të madh në vend. I dëmtuar del edhe imazhi i portit të Durrësit, për të cilin deri tani është investuar mjaft për të rritur besueshmërinë si tek bizneset e huaja ashtu edhe tek ato shqiptare se ofron standarte mjaft të sigurta dhe procedura mjaft të shpejta për të lehtësuar veprimtarinë e subjekteve tregtare dhe spedicionere.

Qëllimi i mirë i drejtuesve të doganës për të luftuar fenomenin e korrupsionit nuk mund të realizohet me procedura “që ecin me hapin e breshkës” e që e kthejnë portin e Durrësit shumë vite pas në kohë.