Në Gjykatën e Durrësit po zhvillohet sot gjyqi i Fredi Belerit, i cili ka bërë kërkesë pranë kësaj gjykate për të bërë betimin si kryetar i bashkisë së Himarës.

Interes shumë i madh për gjyqin e Belerit është treguar nga shteti grek, pasi punimet e seancës gjyqësore po ndiqen nga ambasadorja greke në vendin tonë Konstantina Kamitsi. Ndërkohë seanca gjyqësore është duke u zhvilluar me dyer të mbyllura, pa praninë e kamerave.

Në ambientet e gjykatës së Durrësit  i pranishëm ishte dhe Vangjel Dule, kryetari i Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut.

Fredi Beleri bëri kërkesë pak ditë më parë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës për t’u lejuar që të bëjë betimin si kryetar i bashkisë së Himarës.

Çështja gjyqësore i është ngarkuar gjyqtares E. Shadula.

Ditë më parë, Gjykata e Lartë rrëzoi për herë të dytë rekursin e Fredi Belerit. Kryebashkiaku i zgjedhur i Himarës kërkonte një masë më të butë sigurie se arresti me burg, të cilën po e vuan pranë burgut të Durrësit. Më herët Belerit, i cili u arrestua dy ditë para zgjedhjeve të 14 majit, i është refuzuar liria edhe nga Gjykata e Posaçme.

Ndërkohë, ministri i brendshëm i Greqisë, Johanis Ikonomu, është takuar më 1`5 shtator me kryebashkiakun e zgjedhur të Himarës, në burgun e Durrësit, ku ai ndodhet që pas arrestimit.

Pavarësisht arrestimit para zgjedhjeve, ai arriti të fitonte garën për kreun e bashkisë së Himarës, mirëpo deri më tani nuk ka mundur të bëjë betimin si kryebashkiak.