Në gjyqin ndaj Emiljano Shullazit në Gjykatën e Krimeve të Rënda sot ka dëshmuar biznesmeni nga Lushnja, Adriatik Kërçuku, të cilit i është vënë tritol në banesë disa vite më parë. Përpara togave të zeza dhe në ballafaqim me Shullazin, ai ka deklaruar se tre ditë përpara se t'i vendosej lënda shpërthyese, i kanë shkuar tre persona të cilët i kanë komunikuar se Shullazi i kërkon takim.
"Nuk e njoh Shullazin. S'e kam takuar ndonjëherë. Dy ditë para tritolit më erdhën dy persona në emër të tij dhe më thanë kërkon të të takojë", është shprehur Kërçuku në gjyq.
Në gjyqin e Emiljano Shullazit sot kanë dhënë dëshmi katër dëshmitarë, mes të cilëve edhe biznesmeni Kërçuku. Ndërsa në seancën e ardhshme gjyqësore të procesit ndaj Emiliano Shullazit, e parashikuar për javën e ardhshme, pritet të dëshmojnë emrat VIP. Kështu, në listën e personave të thirrur nga organi i akuzës rezultojnë ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri, drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Haki Çako, ish-rektorët e UT-së, Dhori Kule e Shezai Rrokaj si dhe ish-kandidatja për Rektore, Klodeta Dibra.





