DURRES– Shtyhet vendimi i Gjykatës së Apelit për Ilir Xhakjan. Relatori i çështjes, Petraq Dhimitri, e shtyu dhënien e vendimit për shtetasin Xhakja, pasi trupi gjykues nuk mund të shprehej në një kohë kur ekspertizat balistike të mëparshme nuk dilnin në të njëjtin konkluzion. Instituti i mjekësisë ligjore do të caktojë tre ekspertë të rinj për të kryer për herë të tretë ekspertizën balistike të provave të mbledhura për vrasjen e shtetasit Qerim Maloku.
Gjykata e Apelit Durrës ka vendosur të kryhet një tjetër ekspertizë balistike e provave, pasi për vrasjen e shtetasit Maloku, për të cilën akuzohet Ilir Xhakja, janë kryer dy aktekspertiza në kohë të ndryshme, përfundimet e të cilave kundërshtojnë njëra tjetrën. Tashmë i mbetet detyrë tre ekspertëve të rinj që të rimarrin edhe njëherë në analizë të gjitha provat e gjetura në vendngjarje, si dhe armët e gjetura në Kodër Jubë, për të dalë në një konkluzion përfundimtar mbi vrasjen e regjistruar në datë 27.07.1998 në Katund Sukth.
Në seancën e mëparshme prokurori i çështjes Vangjel Tanillari, ka kërkuar 24 vite burg ndaj Ilir Xhakjas, ndërsa avokati mbrojtës Ilia Ilia pafajësinë e klientit të tij.Avokati mbrojtës ka theksuar se klienti i tij akuzohet padrejtësisht për vrasjen e shtetasit Qerim Maloku, vetëm nga një shenjë gishti që është gjetur në fishekun e tretë në radhë në krehërin e automatikut, i cili u gjet në Kodër Jubë 4 vite pas ekzekutimit të Malokut.
I pandehuri Ilir Xhakja nuk ishte i pranishëm as në seancën e sotme, pasi më parë ai ka deklaruar se do të përfaqësohej në gjykatë përmes avokatit të tij mbrojtës. Gjykata pritej të jepte sot vendimin për Ilir Xhakjan, por trupi gjykues u shpreh se seanca gjyqësore e rradhës do të zhvillohet pas kryerjes së ekspertizës së tretë balistike.
Aktekspertiza e mëparshme
Nga procesverbali i kqyrjes së vendit të ngjarjes në datë 27.07.1998 të administruar në fashikull rezulton se janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale 8 copë gëzhoja të kalibrit 7.62 mm. Nga akti i ekspertimit balistik të gëzhojave me nr.168 të datës 31.07.1998 arrihet në përfundimin se gëzhojat e gjetura në vendngjarje janë qëlluar nga dy armë të ndryshme zjarri.
Më 2 shkurt të vitit 2011 Ilir Xhakja u shpall i pafajshëm nga një treshe gjyqtarësh të gjykatës së shkallës së parë Durrës, e kryesuar nga Neritan Tabaku. Mos zbardhja e vendimit në kohë, por zvarritja e tij për rreth 1 vit e gjysëm nga ana e gjyqtarit Tabaku, u bë pengesë për apelimin e çështjes nga ana e Prokurorisë. Abuzimi me detyrën i Tabakut doli në dritë, vetëm pasi Xhakja, tashmë i lirë, u bë protagonist i vrasjes së bujshme të kryekomisarit të policisë së Shijakut, Adem Tahiraj. Ilir Xhakja pritet të dalë së shpejti para togave të zeza për t’u përballur me një tjetër akuzë për vrasje, këtë herë të një komisari policie.
Ngjarja
Në datë 26.07.1998 rreth orës 23.00 në vendin e quajtur Katund–Sukth të rrethit Durrës është vrarë me armë zjarri shtetasi Qerim Maloku. Para se të vritej viktima kishte dalë nga banesa e tij dhe kishte shkuar në një lokal në qendër të fshatit të tij dhe më pas është nisur për të shkuar tek një bilardo që ndodhej para banesës së tij. Gjatë rrugës për tek bilardoja, ndërsa ishte duke ecur, është goditur me bresheri automatiku nga i pandehuri Ilir Xhakja së bashku me dy persona të tjerë të paidentifikuar. Pasi kanë dëgjuar krismat janë afruar tek viktima menjëherë nipi i tij Agron Maloku dhe i biri i viktimës Ylli Maloku.





