Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish lidhur me akuzat ndaj 4 ish-krerëve të UÇK-së, teksa në Hagë po zhvillohet gjyqi ndaj tyre.

Në një status në rrjetin social “Facebook”, ai i cilëson si të pagëlltitshme akuzat ndaj tyre, ndërsa thotë se Thaçi, Selimi, Krasniqi dhe Veseli udhëhoqën luftën çlirimtare të një populli të shtypur për liri.

“Por prapëseprapë është aq e pagëlltitshme një çorbë kaq e shpifur, kur i sheh ata që e udhëhoqën luftën çlirimtare të një populli të shtypur egërsisht, të akuzohen si kriminelë lufte nga një organ i krijuar mbi bazën e fantazive të shthurrura me trafik organesh! Megjithatë UÇK nuk do të mundet nga padrejtësia”, shkruan Kryeministri Edi Rama në Facebook.

Rama, gjithashtu, ka shpërndarë deklaratën e dhënë ditën e sotme nga ish-Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi në gjyq.

Bota tani e di, sot, si rezultat i këtij procesi, se nuk kishte trafikim organesh dhe se Shtëpia e Verdhë nuk ka ekzistuar kurrë. Tani e dimë se edhe unë, edhe UÇK-ja, populli i Kosovës dhe të gjithë shqiptarët jemi shfajësuar nga këto akuza. E vërteta është thënë dhe reja e zezë mbi Kosovën është hequr”-deklaroi Thaçi.