Gjykata e Posaçme vijon procesin ndaj kryebashkiakut Erion Veliaj, bashkëshortes së tij, biznesmenëve dhe të tjerëve në dosjen e SPAK, me një grup akuzash.

GJKKO pritet të shqyrtojë gjatë ditës së sotme (30 mars) edhe kërkesën e Ajola Xoxes për ndryshimin e masës së sigurisë “detyrim paraqitje”.

Bashkëshortja e kryebashkiakut Veliaj kërkon lehtësim të masës. Mbrojtja e saj ligjore pretendon se gjendja e saj shëndetësore, për shkak të shtatzënisë, kërkon trajtim më fleksibël, si dhe mundësinë për të lëvizur jashtë vendit dhe për këtë shkak duhet ndryshuar masa e sigurisë.

Aktualisht ndaj Xoxes, që nga shkurti i vitit të kaluar janë vendosur masat e sigurisë “detyrim paraqitje” dhe “ndalim i daljes jashtë vendit”.

Kryebashkiaku i Tiranës ndodhet në masën “arrest me burg” që prej 10 shkurtit 2025 kur u arrestua me urdhër të SPAK, ndërsa ndaj janë ngritur 13 akuza, përfshirë korrupsionin pasiv, pastrimin e parave, mosdeklarimin e pasurisë dhe shpërdorimin e detyrës.

Kryebashkiaku i ka kundërshtuar, teksa aktualisht ka nisur edhe procesi gjyqësor në GJKKO, ku janë mbajtur seancat e para. Për shkak të gjendjes shëndetësore prej shtatëzanosë, bashkëshortja e kryebashkiakut përfaqësohet nga avokati.