Ish-ministri i Mbrojtjes Fatmir Mediu ka folur për gjyqin për Gërdecin, që po mbahet kundër tij. Në një intervistë televizive Mediu theksoi se përgjegjësitë e veta për tragjedinë i ka marrë.
Po ashtu Mediu theksoi se gjyqi ndaj tij ngjan me gjyqet popullore të kohës së diktaturës.
“Unë do të jem në debat për atë që po ndodh. Gjyqi është i paligjshëm dhe absurd, se nuk ka akuzë.
Nuk mund të akuzosh ministrin e Mbrojtjes, se përse ka zgjedhur një kompani ose për disa procedura të tjera që nuk janë përgjegjësi e tij, kjo është tejkalim i proceseve juridike. Unë nuk jam në akuzë për Gërdecin, jam në akuzë për shpërdorim detyre.
Kjo që po bëhet për Gërdecin është që të bëhet çështja sa më e ndjeshme, për shkak të pasojës që ka pasur.
Në raport me çështjen, është shpërdorim detyre. Ligji për ministrin është Kushtetuta, nuk është rregullorja e financës, janë akuza absurde Unë dhashë dorëheqjen për Gërdecin.
Unë përgjegjësitë e mia i kam marrë. Ky mund të jetë shtet inkuzitor, që do të dënojë me patjetër një person, që në këtë rast jam unë.
Është ide staliniste, pasi në atë kohë zgjidhej personi dhe targetohej se çfarë akuze mund t’i vendosim. Edhe akt-ekspertimi është i paligjshëm.
Edhe për çështjen e 21 janarit, besoj se politika ndërhyn në çështje gjyqësore. Sot jemi në Republikën e SPAK, por duhet të jemi në Republikën Kushtetuese. Nuk jemi në kohën e gjyqeve popullore”, tha Mediu.