Zbardhen pagat marramendëse për gjyqtarët dhe prokurorët, të cilët do të jenë pjesë e sistemit të Drejtësisë, pasi të kalojnë “provën” e vetingut. “Panorama” ka siguruar listën e rrogave që janë propozuar për anëtarët e sistemit të Drejtësisë, paga që priten të hyjnë në fuqi pasi të miratohen edhe 6 projektligjet e tjera të paketës së reformës.

Paga më e lartë në sistemin e Drejtësisë do të jetë për kryetarin e Gjykatës Kushtetuese, i cili do të përfitojë në muaj rreth 455 mijë lekë, ose rreth 4 mijë dollarë. Ndërkohë që paga mesatare për magjistratët është propozuar të jetë rreth 330 mijë lekë në muaj.

Aktualisht, paga mesatare për magjistratët e sistemit të Drejtësisë arrin vlerën e 138 mijë lekëve në muaj. Anëtarët e Gjykatës Kushtetuese janë të dytët në listë, që do të kenë paga të larta. Ata do të përfitojnë në muaj rreth 380 mijë lekë.

Kryetari i Gjykatës së Lartë pritet të ketë një pagë rreth 345 mijë lekë në muaj, ndërsa anëtarët e tjerë do të përfitojnë 313 mijë lekë. Nga sistemi gjyqësor, pagat e magjistratëve në gjykatat e rretheve janë propozuar të jenë më të ulëta, ato arrijnë vlerën e 295 mijë lekë në muaj. Kurse për gjyqtarët e Krimeve të Rënda në rrethe është propozuar të jetë e njëjta pagë si anëtarët e Gjykatës së Lartë.

PROKURORIA

Rritje të konsiderueshme pritet të pësojë dhe paga e kryeprokurorit. Ai do të përfitojë nga miratimi i projektligjit “Për statusin e gjyqtarit dhe prokurorit” rreth 345 mijë lekë në muaj. Me këtë propozim, paga e Prokurorit të Përgjithshëm barazohet me pagën e anëtarëve të Gjykatës së Lartë. Po ashtu, edhe prokurorët e tjerë do të kenë të njëjtën pagë të lartë, nëse do të miratohen propozimet e depozituara në Kuvend.

Ky privilegj është caktuar vetëm për prokurorët në selinë e Tiranës, ndërkohë që magjistratët në rrethe do të kenë një pakë 2500 lekë më të ulët. Vetëm drejtuesit e prokurorisë në rrethe dhe prokurorët e krimeve janë propozuar të kenë paga të larta. Ministria e Financave, në një korrespondencë të dërguar Komisionit të Reformës në Drejtësi, ka sqaruar se fondi i pagave i propozuar për magjistratët tejkalon parashikimet.

“Referuar këtyre të dhënave mbi pagën mujore të çdo magjistrati, të propozuar si më lart, rezulton se fondi i nevojshëm për paga dhe sigurimet e detyrueshme shkon në 4.5 miliardë lekë në vit, nga 1.8 miliardë që është aktualisht, ndërsa paga mesatare shkon nga 138 000 lekë/muaj në 330 000 lekë në muaj, pa përfshirë shtesën e pagës për vjetërsi”, thuhet në korrespondencën e Ministrisë së Financave.