Institucionet e reja, të cilat do të krijohen nga fillimi i zbatimit të Reformës në Drejtësi, do të shoqërohen me një faturë të majme financiare për buxhetin e shtetit.

Me projektligjet e reja të paktës së reformës dhe parashikimeve ligjore për të rritur pagat e gjyqtarëve, prokurorëve dhe punonjësve të sistemit të Drejtësisë, fatura financiare vjetore për këtë sistem pritet të shkojë në 45 milionë dollarë në vit.

“Vizion Plus” ka siguruar një korrespondencë të Ministrisë së Financave drejtuar Komisionit të Posaçëm të Reformës në Drejtësi, në të cilin ngrihet si shqetësim kostoja e lartë që do të ngarkohet buxheti i shtetit për të përballuar shpenzimet për magjistratët e rinj. Ministria e Financave thekson se ka vështirësi të mëdha për të siguruar pagesa të larta për pjesëtarët e sistemit të Drejtësisë.

Aktualisht, kostoja për 985 punonjës të sistemit të Drejtësisë arrin vlerën e 1.8 miliardë lekë në vit. Por duke llogaritur dhe shtesat që propozohen në projektligjin e ri për statusin e gjyqtarit dhe prokurorit, kostoja totale pritet të shkojë në 4.5 miliardë lekë në vit.

Pagat mesatare të një prokurori dhe një gjyqtari pritet të shkojnë në 330 000 lekë në muaj.

“Referuar këtyre të dhënave mbi pagën mujore të çdo magjistrati, të propozuar si më lart, rezulton se fondi i nevojshëm për paga dhe sigurimet e detyrueshme shkon në 4.5 miliardë lekë në vit, nga 1.8 miliardë që është aktualisht, ndërsa paga mesatare shkon nga 138 000 lekë/muaj në 330 000 lekë në muaj, pa përfshirë shtesën e pagës për vjetërsi”, thuhet në korrespondencën e Ministrisë së Financave.

Sipas Ministrisë së Financave, kjo faturë rrezikon që të rritet çdo vit, për shkak të shtesës së lartë që ekspertët e EURALIUS kanë kërkuar për vjetërsinë në punë të punonjësve. Ministria e Financave është vënë në alarm, pasi vjetërsia për vitet e shërbimit rrezikon të shkojë deri në 75% të pagës bruto, ose, nëse përkthehet në vlerë monetare, një magjistrat që i afrohet viteve të fundit të punës, rroga i rritet për shkak të vjetërsisë me 2.4700 mijë lekë të tjera.

“Sjellim në vëmendje se, nëse aplikohet skema e propozuar e shtesës së pagës për vjetërsi, kjo shtesë shkon në mbi 85 00 lekë/muaj dhe paga bruto mujore mund të shkojë maksimalisht edhe mbi 500 000 lekë në muaj, vlerë e cila është 2 herë më e lartë se paga aktuale më e lartë në Republikën e Shqipërisë”, thekson Ministria e Financave.

Çdo vit, fatura në buxhetin e shtetit llogaritet të rritet me 4 deri në 5 milionë dollarë, por trajtimi financiar nuk mbaron me kaq. Shteti shqiptar duhet të paguajë shpërblim shtesë për sigurimin e detyrueshëm të jetës dhe pronës për magjistratin dhe familjen e tij në masën 400 euro çdo vit.

Kostot e draftit

500.000 lekë në muaj do të jetë paga maksimale në sistemin e drejtësisë
177.000 lekë në muaj paga për gjyqtarët e Shkallës së Parë
186.440 lekë në muaj paga për gjyqtarët e Apelit
195.880 lekë në muaj për gjyqtarët e Gjykatës së Lartë
75% mbi pagën bruto është parashikuar të shkojë rritja e pagës për vjetërsi në punë
Shpërblimi shtesë për sigurimin e detyrueshëm të jetës për vete, për familjen dhe pronën, në masën 33 euro në muaj.
Shpërblimi shtesë për rritjen dhe edukimin e fëmijës, 5% e pagës fillestare bruto të tij, për fëmijë deri në moshën 18 vjeç.

 

Sipas Financave, projekti përcjell kosto shtesë financiare në buxhetin e shtetit, kosto të cilat nuk janë parashikuar të mbulohen nga burime aktuale të buxhetit. “Përllogaritja e kostos totale të këtij projekti nuk mund të vlerësohet tërësisht nga ana jonë, pasi për të realizuar përllogaritjen e nevojshme, kërkohet një informacion më i detajuar në lidhje me numrin e personelit civil gjyqësor të grupuar sipas klasifikimeve të paraqitura në këtë projektligj, dhe me strukturën e menduar të fazës për çdo klasifikim. Projektligji pa parashikuar organizimin juridik, territorial dhe administrativ të pushtetit gjyqësor, por në asnjë pikë të tij nuk përcaktohet organizimi financiar i pushtetit gjyqësor, përcaktim i cili do të mundësonte vlerësimin e plotë financiar të projektit. Ky projektligj do të shoqërohet detyrimisht edhe me rishikimin e statusit të administratës së organit të akuzës, prokurorisë, rishikim i cili do të ketë kosto financiare gjithashtu shtesë dhe të paparashikuara në buxhetin e shtetit”, thuhet në letrën e Ministrisë së Financave.