Durrës, 13 shtator 2014 –  Gjyqtari Musa Balla e ka quajtur të patolerueshme sjelljen e boksierit të ri, Çela. Ngjarja ka ndodhur në ditën e parë të kampionatit të 28-të kombëtar për moshat 17-18 vjeçar në boks që zhvillohet në pallatin e sportit “Flamurtari” të qytetit të Vlorës. Ndërsa u mendua se gjithçka po shkonte normalisht në ringun e moshave, kjo pritshmëri e të federatës, si dhe të pranishmëve në shkallët e pallatit të sportit u “tradhtua” nga dueli i peshës 69 kg.

Protagonistë të eliminatores ishin boksieri i Teutës, Nahin Çela, dhe bashkëmoshatari i tij, Samet Llukani, nën logon e Vllaznisë. Dhe, siç ndodh rëndom kur humbja nuk pranohet lehtë, i riu durrsak ka kundërshtuar disa prej vendimeve të gjyqtarit të ringut Musa Balla. Por, si të mos mjaftonte protesta në distancë ndaj gjykimit, Çela del jashtë kontrollit një moment dhe harron që është ndeshje aktiviteti zyrtar dhe jo në rrugë.

Boksieri nuk kursen grushtet dhe kokën ndaj gjyqtarit të takimit. Përballë këtij incidenti barbar ndërhyn policia, e cila nuk heziton ta shoqërojë në komisariat. Bashkë me të shoqërohet edhe trajneri, i cili shpërthen me një fjalor banal ndaj gjyqtarit. 

Ndërkaq gjyqtari Balla u shpreh se do të ngrejë padi pë boksierin: “Nuk kam për t’ia falur atë që bëri ndaj meje. Do ta padis dhe do t’i shkoj deri në fund kësaj çështjeje. Ai është fëmija im dhe nuk e konceptoja dot se mund ta bënte një veprim të tillë. E pashë që po kontestonte për vendimet dhe e këshillova të ishte më i kujdesshëm me faullet në ring. Por nuk reflektoi dhe bëri atë për çka ishin dëshmitarë të gjithë”.

/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/