Ka dalë para Vettingut Izet Dushaj, gjyqtar i Apelit në Durrës. KPK vlerësoi kriterin e pasurisë, ku tha se gjyqtari zotëron një apartament në Tiranë të blerë 60 mijë euro.

Por nuk ka përputhje në deklaratat e pasurisë si dhe në të ardhurat që janë të paqarta dhe që sipas subjektit vijnë nga rrogat e tij dhe të gruas dhe nga shitja e shtëpisë në Tropojë.

Por KPK gjeti se gjyqtari ka konflikt interesi pasi nga kërkimet ka rezultuar se përdori makinën e një qytetari me inicialet A.H çështjen e të cilit e kishte gjykuar në 2006 për akuzën e vrasjes.

Gjyqtari tha se ka gjykuar shumë çështje, dhe makinën e mori pas viti 2010 dhe se ja kishte marrë një personi tjetër jo personit që kishte gjykuar.

“Sidoqoftë ajo çështje ishte rivendosje në afat dhe nuk e mbaj mend mbasi u zhvillua vetëm në një seancë”, pretendoi gjyqtari Izet Dushaj që këmbënguli se nuk ka konflikt interesi.

Sa i takon dhurimit të 3 mijë paundëve nga një familjar me inicialet E.D, gjyqtari tha se kjo shumë ju dhurua në llogari bankare dhe në mënyrë të ligjshme.