Premier Liga po shqyrton kërcënimet në rrjetet sociale ndaj Entoni Tejlorit pasi arbitri u bë protagonist në fitoren e Çelsit kundër Bornmëthit të shtunën, e cila theu rekordin për kartonët e nxjerrë. Abuzimet, disa prej të cilave ishin kërcënuese ndaj arbitrit 45-vjeçar dhe familjes së tij, erdhi pasi ai u tregoi 14 kartonë gjithsej lojtarëve në stadiumin “Vitality” dhe dy të tjerë stafit stërvitor, përfshirë trajnerit të Çelsit, Enco Mareskës. Që prej atij momenti, gjyqtarit i është ofruar mbështetje nga shoqata e arbitrave, ndërsa lista e arbitrave që do të gjykojnë këtë fundjavë tani është finalizuar dhe emri i tij nuk është përfshirë.
Tejlor nuk do të gjykojë asnjë ndeshje, por do të veprojë si gjyqtari i katërt dy herë, në ndeshjen e Sauthemptonit kundër Ipsuiçit të shtunën dhe Brajtonit kundër Notingem Forestit të dielën. Një lëvizje e tillë është bërë për të larguar presionin nga arbitri që u akuzua nga tifozët se e nxori shumë kollaj kartonin nga xhepi fundjavën e shkuar.Në disa nga kërcënimet më të rënda, abuzuesit shkruanin se Tejlor duhej vrarë. Një tjetër kërcënim shkruante: “Entoni Tejlor, do të të gjej ty dhe familjen tënde”. Të tjerë vijuan duke i shkruar se ai do të gjendej i vdekur në shtëpinë e tij bashkë me familjen.