Gjyqtari Astrit Kalaja, i cili u vra një ditë më parë brenda ambienteve të Gjykatës së Apelit në Tiranë do të vendoste edhe për fatin e 32 familjeve durrsake, të cilat rrezikojnë të përfundojnë në rrugë.

Bëhet fjalë për 32 familje që prej 3 dekadash banojnë në vilat 36 dhe 38 në zonën e plazhit të Durrësit, por që vendimi i gjykatës së shkallës së parë, u kërkon të dalin nga shtëpitë e tyre, sepse 2 godinat janë privatizuar nga pronari i truallit dhe nuk janë më pronë e bashkisë.

Familjet i janë drejtuar Gjykatës së Apelit për të kundërshtuar vendimin e shkallës së parë dhe çështja gjyqësore është shumë e ngjashme pikërisht me çështjen e familjeve në Shkodër, verdikti i të cilës i mori jetën gjykatësit Kalaja nga dora e 30 vjeçarit Elvis Shkambi.

“DurrësLajm” mëson se familjet durrsake që i ishin drejtuar Apelit kishin kërkuar përshpejtim seance për gjykimin e çështjes së tyre, meqë përmbarimi u kishte lënë afat deri më datë 5 tetor për të liruar banesat e tyre në mënyrë vullnetare.

Por vrasja e gjyqtarit Kalaja sjell për pasojë vonesa në dhënien e vendimit nga ana e Apelit, sepse të gjitha dosjet e gjyqtarit të ndjerë do të rishortohen dhe në muajin dhjetor 32 familjet mund të mësojnë emrin e gjyqtarit/es të ri/re, që do të shqyrtojë çështjen e tyre.  

Ditë më parë, përfaqësues të 32 familjeve që banojnë në 2 vilat në zonën u plazhit zhvilluan 2 protesta para bashkisë dhe u takuan me zyrtarë të saj për të parashtruar problematikën e tyre dhe marrë zgjidhje nga institucioni i qeverisjes vendore.

Pas takimit, banorëve nuk iu ofrua asnjë zgjidhje nga bashkia, por iu sugjerua që të lënë shtëpitë brenda afatit të përcaktuar si dhe ju tha që ata që nuk disponojnë një banesë tjetër do të trajtohen sipas programeve të strehimit të bashkisë Durrës, pasi të bëjnë aplikimin përkatës.

Familjet banojnë prej 35 vitesh në këto godina, pasi janë strehuar aty me një vendim të ish-Komitetit Ekzekutiv të sistemit komunist, i cili më vonë u zëvendësua në funksion nga bashkia Durrës.

Pronari i truallit, Mikel Noçka i ka privatizuar dy godinat përmes Ministrisë së Ekonomisë dhe tashmë kërkon nga banorët që t’i lirojnë ato.

M.B.