Një biznes i fëlliqur, flitej nën zë në mbarë opinionin publik, po luhej në dëm të interesave të Teutës dhe në favor të Skënderbeut. Mediat shkruanin se në valle kishte hyrë Skënderbeu dhe prej andej thuhej se mund të kalonin në drejtim të ekipit të Laçit jo pak por 150 mijë euro, që e kthyer në lekë shqiptarë shuma fiksohej diku tek 210 milion lekë

Në javën e 21, kur gazeta “Dyrrah” lëshonte profecinë e Teutës në vend të parë, ndodhi që Teuta të fitonte ndaj Shkumbinit dhe Skënderbeu të humbiste në Vlorë ndaj Flamurtarit. Vetëm zgjidhja e këtij ekuacioni me dy të panjohura, mund të vendoste Teutën, siç e vendosi, në vendin e parë. Momente drithëruese dhe shumë të veçanta atë të diel të 22 prillit në Niko Dovana.

Tifozëria durrsake krahas mbështetjes së ekipit të zemrës, nuk harronte t’i dërgonte përshëndetje edhe vlonjatëve nën thirrjet e fuqishme: “Faleminderit Flamurtari”! Futbollistët e Teutës u pritën si heronj, teksa dilnin nga tempulli i futbollit të tyre dhe pse ta fshehim, nuk e kemi ndjerë aq afër aromën e titullit. Teuta 49 pikë e Skënderbeu 47.

Vlonjatët u hakmorën për atë katrahurë që i bënë homologët e tyre sezonin e kaluar. Dhe përfitimi i durrsakëve ishte në përmasat e titullit. Një karvan makinash që transportonte me qindra tifozë të Teutës, parakaluan atë ditë rrugëve të qytetit teksa thërritnin me sa fuqi kishin: Ehej, Teuta kampione e Shqipërisë! Ato i kujtonin bashkëqytetarëve të tyre se po vjen koha, të festojnë si më 30 prill 1994.

Mos, është herët djema! Ka dhe ca javë. Nga stafi teknik i Teutës kërkohej t’i largohej kësaj euforie kështu dhe ekzaltimit të parakohshëm. Mbeteshin edhe katër takime: Laçi, Kamza, Pogradeci dhe Kastrioti. Tejet e vështirë dukej ndeshja me Laçin, që ishte e planifikuar të luhej në Krujë të mërkurën e 25 prillit. Pa spektatorë dhe në fushë asnjanëse. Teutës i mjaftonte edhe një barazim, për të mbetur sërish në avantazhin e titullit, krahasuar kjo me Skënderbeun që i kishte rrëmbyer 4 pikë.

“Kurthi”

Trajneri i Teutës Hasan Lika, nuk ngurronte t’i jepte kurajë djemve të tij për një qëndresë në Laç. Mediat shkruanin se në valle kishte hyrë Skënderbeu dhe prej andej thuhej se mund të kalonin në drejtim të ekipit të Laçit jo pak por 150 mijë euro, që e kthyer në lekë shqiptarë shuma fiksohej diku tek 210 milion lekë. Po të pjesëtohet kjo shumë me 11 futbollistë, i bie që një futbollist i Laçit të përfitonte 19 milion lekë.

Çfarë bëhet kështu?! Një biznes i fëlliqur, flitej nën zë në mbarë opinionin publik, po luhej në dëm të interesave të Teutës dhe në favor të Skënderbeut. Sezonin e kaluar dihej, që Skënderbeu “e bëri baltë” duke i joshur rivalet e varfra me fuqinë e pasurisë së buxhetit të saj. Disa guxonin të shpreheshin, duke përfolur si vendin ku “flirtohej” Laçi me Skënderbeun Hotel Tiranën, që populli e quan 15-të katëshi.

Vendimi ishte i qartë: të mundej Teuta me çdo çmim, që të përfitonte ekipi i privilegjuar i Skënderbeut. Po Laçi nuk ka këllqe t’ia dalë Teutës në “fushë të burrave”, prandaj u thërrit në ndihmë gjyqtari i ndeshjes Elvis Peza. Skenari po thjeshtohej dhe ajsbergut korruptiv po i zbulohej maja. Kampionat futbolli është ky? Planet u bënë.

Të paudhët morën rolet e caktuara. Skenari dhe regjia ishin të një autori: Quhet Skënderbeu i Korçës alias Agim Zeqo. Pse kështu mor zot! Kjo ishte rruga që do të mundej Teuta! Po fusha e lojës për çfarë është?!

Turp!

Ekipi i Laçit u ndërsye dhe si lukuni ujqërish u sulën mbi djemtë e detit. 150 mijë eurot i kishin dehur fort ata dhe në vend të topit filluan të kositnin këmbët e shokëve të tyre durrsakë. Ndale mor Peza këtë idiotësi, sepse vetëm futboll nuk është! Kur futbollistët e Teutës protestonin ndaj ndërhyrjeve të tilla të rrezikshme, Peza i zverdhi me kartonë.

Ryshfeti duket se ishte i majmë edhe për të. Po pse ky është futbolli që kërkojmë të bëjmë?! Kjo është rruga për të shkuar drejt titullit?! Ekipi i Laçit të dukej si një filial banke, që e fillonte ditën e parë të punës me një gjendje prej 210 milion lekësh. Klienti që i kishte rënë për ise, të binte pre e gijotinës së tij ishte Teuta e Durrësit.

Teuta reagonte për të larë dizavantazhin, por Peza me bilbilin e tij e kishte mbyllur rrjetën e Vashakut. Më shumë se gjysma e ekipit, u kosit nga kartonët e verdhë të Pezës, që të dukeshin se shëmbëllenin me ngjyrën e zezë. Dhe kjo ditë mund të konsiderohet vërtet si e zezë për futbollin e natyrës “made in Zeqo”.

Etja për lekë, i bëri të harrojnë laçianët se luhej futboll dhe jo regbi. Dhe Peza bënte të paditurin. I gjithë ekipi i Teutës, presidenti Hasanbelliu, drejtori teknik Starova, tekniku Lika e kontestojnë energjikisht gjykimin e Elvis Pezës dhe e denoncojnë si një njollë të zezë në gjykimet e topkëmbës shqiptare. Në një rast mesfushori Altin Hoxha godet sferën në drejtim të portës dhe një dorë e dukshme e një mbrojtësi të Laçit e devijon atë. Neto penallti. Po Peza nuk ka sy të shikojë, as veshë të dëgjojë.

Reagimet e futbollistëve durrsakë, si gjithnjë shoqëroheshin me kartonin e verdhë. Janë tre futbollistë titullarë që nuk luajnë me Kamzën: Osmani, Mancaku dhe Nika. Kjo vetëm për arsye të kartonëve të verdhë. Teuta humbet 1-0 dhe bashkë me të edhe vendin e parë, të cilin e mbajti vetëm 3 ditë.

Shpresa

Opinioni futbolldashës i Durrësit, është shokuar nga mundja  e Teutës. Shkaku fare i thjeshtë. Është humbur vendi i parë, që aq shumë është sakrifikuar deri tani. Teutës i mbeten për të zhvilluar tri ndeshje: dy në Niko Dovana me Kamzën dhe Pogradecin, duke e mbyllur me transfertën krutane. Ndërsa “çorapllinjtë” e kampionatit Skënderbeu: udhëtojnë në Ballsh, presin në shtëpinë e tij Apoloninë dhe e mbyllin me liqenorët e Pogradecit.

Sigurisht e pritshme është që të tria “kalatë”, Skënderbeu t’i marrë me “Kalin e Trojës” dhe me joshjet financiare tek 15-të katëshi. Nga Teuta kërkohet të bëjë detyrat e saj, t’i fitojë këto takime dhe ta mbyllë kampionatin ashtu si edhe e filloi me fitore. Sa i takon ndonjë të pamundure për titullin, le ta lejmë si një shpresë. A mund të jetë kjo shpresë e pa shpresë?! Në raport me Zeqon po, por ndoshta me zotin jo.