UKRAINE – Një masakër e tmerrshme ka tronditur Ukrainën ditën e djeshme. Një gjyqtar dhe familja e tij janë gjetur të vrarë me kokat të prera, në shtëpinë e tyre. Ata banonin në veri të Ukrainës, në qytetin e Kharkivit. Viktimat ishin katër dhe të gjithëve u mungonte koka. Po ashtu, në shtëpinë e tyre mungonin edhe disa antikuarë me vlerë të rrallë, pas të cilëve gjyqtari ukrainas ishte apasionuar dhe i koleksiononte.
Policia në Ukrainë është duke hetuar mbi krimin që ka terrorizuar vendin. Për të kryer hetimet mbi ngjarjen e rëndë, vetë ministri i Brendshëm dhe kryeprokurori i vendit vizituan skenën e krimit. Zbardhja e vrasjes makabre është shndërruar në prioritet për autoritetet policore dhe organet e tjera të vendit. Sipas policisë, vrasja e gjykatësit mund të lidhet me punën e tij apo koleksionin e rrallë të antikuarëve.
Vladimir Trofimov, 58 vjeç, koleksiononte monedha të rralla, medalje të Luftës së Dytë Botërore dhe statuja kineze. Disa prej këtyre antikuarëve, mungonin në shtëpinë, ku u gjetën vetëm trupat e gjykatësit dhe familjes së tij.
Një prej viktimave ishte edhe e fejuara e djalit të gjykatësit. Ky krim, i përbindshëm për nga natyra, i ngjan vrasjes së Georgy Gongadzes në vitin 2000. Një gazetar investigativ, kundërshtar i autoriteteve, Gongadze, u zhduk, dhe trupi i tij pa kokë u gjet në një pyll në afërsi të Kievit.