VLORE- Pas hetimeve intensive, policia e Vlorës ka zbardhur detaje t‘ë reja në lidhje me personin i cili mëngjesin e së mërkurës dogji me acid në fytyrë dhe në gojë gjyqtaren Mirela Mishgjoni. Burime nga dikasteri i bluve dje bënë të ditur se dëshmitarë okularë të ngjarjes së rëndë që ndodhi në lagjen "28 Nëntori" të qytetit bregdetar kanë deklaruar se agresori që sulmoi gjyqtaren e Gjykatës së Shkallës së Parë të Vlorës, ishte rreth 25 vjeç. Bazuar në dëshmitë e dhëna nga banorët e zonës, si dhe nga përshkrimi që ka bërë gjyqtarja 40-vjeçare, grupi hetimor ka ndërtuar identikitin e autorit të krimit. Burime pranë grupit hetimor shprehen se në momentin e sulmit, Mishgjoni ka dyshuar se i riu donte të vidhte dhe se hynte në kategorinë e atyre personave që sulmojnë gratë e vajzat në hyrje të pallateve për t'u vjedhur portofolat apo çantat e dorës. Ndërkohë, dyshohet që agresori të mos jetë nga qyteti i Vlorës.
IDENTIKITI
Banorë të lagjes "28 Nëntori" në Vlorë, të cilët kanë qenë prezentë në momentin e sulmit ndaj gjyqtares Mirela Mishgjoni, kanë dëshmuar para bluve se agresori ishte rreth 25 vjeç, i gjatë në trup, ezmer, ndërsa mbante veshur xhup të zi dhe pantallona xhinse. Sipas dëshmitarëve okularë, veshja e të riut ishte e përditshme. Mësohet se personat që e kanë parë personin që i hodhi acid gjyqtares kanë deklaruar se ai nuk ishte i njohur në atë zonë, dhe se nuk e kishin parë herë tjetër. Nisur nga kjo, dyshohet që agresori të mos jetë nga qyteti i Vlorës. Hetuesit e çështjes shprehen se gjyqtarja e kishte pikasur të riun kur kishte dalë nga pallati, ndërsa në momentin kur i është afruar, ka menduar se kishte të bënte me një hajdut ordiner, ndaj në çast ka shtrënguar çantën që ajo mbante në dorë. Gjithashtu, mësohet se 40-vjeçarja nuk ka konstatuar ndonjë shenjë dalluese në fytyrën e personit që e sulmoi, si ndonjë nishan apo tatuazh. Bazuar në të dhënat e mësipërme, ekspertët kanë ndërtuar identikitin e autorit të ngjarjes.
HETIMI
Burime nga policia e Vlorës dje deklaruan se personi që sulmoi gjyqtaren do të prangoset së shpejti. Për shkak të vështirësisë së hetimit të ngjarjes, ekspertë nga Tirana të specializuar për raste të tilla kanë mbërritur në Vlorë. Ndërkaq, prokuroria po heton dosjet e gjykuara prej gjykatëses, të cilat janë më shumë se 425 të tilla. Ky, një numër shumë i madh, ndaj hetuesit e çështjes po bëjnë seleksionimin e tyre për të parë se kush mund të ketë lidhje me ngjarjen. Kalimi në "sitë" i dosjeve lidhet me faktin se pista kryesore e hetimit mbetet sulmi ndaj gjyqtares Mirela Mishgjoni për shkak të detyrës që ajo bën.





