Një gjyqtare e Gjykatës së Lartë akuzohet për korrupsion në lidhje me një vendim për njohjen e një prone prej 40 hektarësh në Butrint.

Prokuroria e Përgjithshme njoftoi mbrëmjen e kësaj të marte se Gjykata e Lartë ka pezulluar gjyqtaren Majlinda Andrea, e cila nëpërmjet bashkëshortit të saj dyshohet se ka marrë një shumë prej 50 mijë eurosh për influencuar në një vendim, ku gjyqtarja ishte anëtare.

Me kërkesë të Prokurorisë së Përgjithshme, Gjykata e Lartë ka caktuar masën e sigurisë pezullim nga detyra për gjyqtaren e kësaj gjykate Majlinda Andrea, për akuzën e korrupsionit pasiv si dhe masën arrest me burg për bashkëshortin e saj Odhise Andrea.

Por masa e sigurimit për bashkëshortët Andrea nuk është mundur të ekzekutohet, pasi ata janë larguar jashtë Shqipërisë pak orë para se Gjykata e Lartë të vendoste masat e sigurimit ndaj tyre. Ndërkohë, janë arrestuar nga ana e Policisë së Shtetit, tre shtetas të tjerë, të dyshuar për korrupsion, Ilia Çabiri, Petraq Dashi dhe Eleni Lino.

Odhise Andrea është Këshilltar në Komisionin e Sigurisë Kombëtare në Kuvendin e Shqipërisë.

Deklarata e plotë e Prokurorisë:

Me kërkesë të Prokurorisë së Përgjithshme, Gjykata e Lartë ka caktuar masën e sigurisë “pezullim nga detyra” për gjyqtaren e kësaj gjykate, Majlinda Andrea, e dyshuar për veprën penale të “Korrupsionit pasiv të gjyqtarëve….”. Gjithashtu, Gjykata e Lartë ka vendosur masën e sigurisë “arrest në burg” për bashkëshortin e gjyqtares, Odhise Andrea, si edhe për 3 shtetas të tjerë, të dyshuar për veprat penale të “Korrupsionit pasiv të gjyqtarëve….”, në bashkëpunim dhe “Korrupsionit aktiv të gjyqtarëve…”, në bashkëpunim.

Masa e sigurimit për bashkëshortët Andrea nuk është mundur të ekzekutohet, pasi ata janë larguar jashtë Shqipërisë pak orë para se Gjykata e Lartë të vendoste masat e sigurimit ndaj tyre. Ndërkohë, janë arrestuar nga ana e Policisë së Shtetit, tre të dyshuarit Ilia Çabiri, Petraq Dashi dhe Eleni Lino.

Këta tre shtetas dyshohet se i kanë paguar gjyqtares Majlinda Andrea 50 mijë euro për të dhënë një vendim në favor të tyre, në një proces njohjeje prone që ishte në shqyrtim në Gjykatën e Lartë. Shuma e parave dyshohet se i është dhënë gjyqtares nëpërmjet bashkëshortit të saj, Odhise Andrea.

Hetimi për këtë çështje ka nisur nga Prokuroria për Krime të Rënda, e cila ka kryer veprimet e nevojshme proceduriale. Pasi është konstatuar se në veprime të dyshimta korruptive rezulton e përfshirë edhe një gjyqtare e Gjykatës së Lartë, hetimet i vijoi Prokuroria e Përgjithshme, si struktura kompentente për hetimin e zyrtarëve të institucioneve kushtetuese.

Nga aktet hetimore të deritanishme rezulton se i dyshuari Ilia Çabiri nga Saranda, në cilësinë e përfaqësuesit të një familjeje ish-pronare, ka zhvilluar disa procese gjyqësore për njohjen e një sipërfaqe toke rreth 40 hektarë, në zonën e Butrintit.

Deri në fillim të korrikut 2016, kjo çështje ishte në “fazën e studimit” në Gjykatën e Lartë. I dyshuari Çabiri është angazhuar që procesi gjyqësor në Gjykatën e Lartë të përfundonte në favor të tij. Për këtë arsye, ai ka kontaktuar me të dyshuarin Petraq Dashi, i cili nga ana e tij kishte njohje dhe komunikim me shtetasin Odhise Andrea. Ky i fundit është bashkëshorti i gjyqtares Majlinda Andrea, e cila ishte një prej anëtarëve të trupit gjykues të çështjes së të dyshuarit Çabiri në Gjykatën e Lartë.

Në vijim të kontakteve ndërmjet personave të përfshirë, i dyshuari Petraq Dashi nënshkruan një kontratë fiktive me të dyshuarit Ilia Çabiri dhe Eleni Lino, në bazë të të cilës ai deklaron se u huazon shumën prej 50 mijë eurosh.

Në fakt, këtë shumë, i dyshuari Petraq Dashi ia dorëzon bashkëshortit të gjyqtares së Gjykatës së Lartë, shtetasit Odhise Andrea, me qëllim dhënien e vendimit në favor të të dyshuarve Çabiri dhe Lino.

Një ditë pas dhënies së parave, konkretisht në datë 12.07.2016, trupa e Gjykatës së Lartë, pjesë e të cilës është edhe e dyshuara Majlinda Andrea, u shpreh me vendim në favor të shtetasve Ilia Çabiri dhe Eleni Lino.

Në këto kushte, Prokuroria e Përgjithshme ka krijuar dyshime të arsyeshme se shtetasit e mësipërm kanë konsumuar elementët e veprave penale të “Korrupsionit pasiv të gjyqtarëve…” dhe “Korrupsionit aktiv të gjyqtarëve….”. Për këtë arsye, Prokuroria e Përgjithshme dorëzoi kërkesat e saj në Gjykatën e Lartë, e cila vendosi, si më poshtë:

Për veprën penale të “Korrupsionit pasiv të gjyqtarëve….”, në bashkëpunim:

  1. Për të dyshuarën Majlinda Andrea, gjyqtare në Gjykatën e Lartë, u vendos masa e sigurimit “pezullim nga detyra”.
  2. Për të dyshuarin Odhise Andrea, bashkëshort i gjyqtares, u vendos masa e sigurisë “Arrest në burg”

Po ashtu, për veprën penale të “Korrupsionit aktiv të gjyqtarëve…”, në bashkëpunim

  1. Për të dyshuarit Ilia Çabiri dhe Eleni Lino, në cilësinë e përfituesit të pronës, u vendos masa e sigurimit “Arrest në burg”
  2. E njëjta masë sigurimi, ajo e “arrestit në burg” u vendos edhe për shtetasin Petraq Dashi, i dyshuar si ndërmjetës për dhënien e parave.

Masat e sigurimit për shtetasit Ilia Çabiri, Eleni Lino dhe Petraq Dashi u ekzekutuan nga ana e Policisë së Shtetit, pasditen e së shtunës, datë 16.07.2016.

Ndërkohë, është shpallur në kërkim shtetasi Odhise Andrea, i cili aktualisht mban detyrën e Këshilltarit në Komisionin e Sigurisë Kombëtare në Kuvendin e Shqipërisë.

Vendimi për pezullimin nga detyra të gjyqtares së Gjykatës së Lartë, Majlinda Andrea, i përcillet Kuvendit të Shqipërisë dhe Presidentit të Republikës.