Gjyqtarja Majlinda Andrea nuk do të mund të përdorë automjetin me targa zyrtare të gjykatës deri në përfundim të hetimeve të nisura nga Prokuroria e Përgjithshme për korrupsion.
Ajo nuk do të përdorë as shoferin e vënë në dispozicion nga gjykata dhe po ashtu s’do të marrë pagë dhe nuk do të ketë asnjë përfitim që rrjedh nga posti i gjyqtares.
Sipas “Report TV”, në vendimin e pezullimit të gjyqtares Andrea, është kërkuar gjithashtu nga stafi i sigurisë dhe administratës së gjykatës që në rast të paraqitjes së saj në gjykatë, të mos lejohet të futet brenda.
Gjyqtarja Andrea e cila dyshohet se mori 50 mijë euro për një vendim gjyqësor mos pranim rekursi për pronën e Ilia Cabirit dhe Eleni Linos në Butrint u rikthye të hënën nga Italia ku dyshohet se tashmë atje fshihet burri i saj.





