Irena Gjoka, gjyqtarja e GJKKO që caktoi masat e sigurisë “arrest në shtëpi” për ish-kryeministrin Sali Berisha dhe “arrest në burg” për dhëndrin e tij, Jamarbër Malltezi, nëpërmjet një relacioni i ka kërkuar SPAK që të hetojnë deklaratat e Argita Berishës, e cila e akuzon gjyqtaren se është korruptuar me 500 mijë euro.
Argita Berisha i ka bërë deklaratat gjatë një konference për shtyp të zhvilluar në datën 23 shtator 2024.
Gjatë kësaj konference Argita Berisha Malltezi deklaroi se të paktën 17 prokurorë dhe gjykatës të SPAK janë në dosjen e “Encrochat”. Gjithashtu, Malltezi u shpreh se gjyqtarja Gjoka del në një video, duke i kërkuar një ish-eksponenti të PS 500 mijë euro që të mos e fuste në grup të strukturuar kriminal.
“Ajo që dihet nga të gjithë, besoj edhe nga gazetarët, gjyqtarë dhe prokurorë të SPAK, 17 veta rezultojnë në dosjen e Encrochat të përfshirë. 17 veta nga gjyqësori special, përveç të tjerëve. Pyetja që duhet të bëni është pse nuk del kjo gjë? Gjyqtarja e çështjes, Irena Gjoka pretendohet se gjithashtu është në një video, a është e vërtetë, nuk e di, mua më thonë që është në një video të marrë nga një aparat celular i një gazetari të larguar nga Shqipëria, në të cilin ajo rezulton e filmuar duke biseduar me një ish-eksponent të Partisë Socialiste duke negociuar për tarifën që i kërkon prej 500 mijë euro për të mos e futur në grup të strukturuar kriminal. Duhet të na thotë SPAK nëse është apo jo e vërtetë kjo”, ishte deklarata e vajzës së ish-kryeministrit Sali Berisha.