"Ish-bashkëshorti ushtronte dhunë fizike dhe psikologjike ndaj meje. Nuk u largova me dëshirën time nga Shqipëria, sapo arrita në Belgjikë, Bledari më telefonoi dhe më tha  që mos të guxoja të vija të takoja djalin", kështu është shprehur dje për “Gazeta Shqiptare”, nëna e fëmijës 7-vjeçar që është bërë “mollë sherri” mes dy prindërve.

Reagimi i saj ka ardhur një ditë pas intervistës që “GSH” realizoi me ish-bashkëshortin e saj, Bledar Ara. Në një intervistë ekskluzive për “Gazeta Shqiptare”, mamaja e Renisit (fëmijës 7-vjeçar), Ermira Nurja ka shprehur shqetësimin në lidhje me fatin e fëmijës dhe të pathënat e ish-bashkëshortit të saj.

Kur jeni larguar nga Shqipëria?

Ka pothuajse katër vite që jam larguar nga vendlindja. Nuk ishte një largim me dëshirën time. Pas dhunës së vazhdueshme të ish- bashkëshortit tim, dhe deklarimit tim te vëllezërit e mi, ata i kërkuan Bledarit që unë të shkoja në Belgjikë, disa ditë për t’u qetësuar. Ndërkohë që me të mbërritur unë në Belgjikë, ish-bashkëshorti im Bledari më merr në telefon dhe më thotë mos u kthe më në Shqipëri dhe as mos guxo të vish të takosh edhe djalin, fakte këto që i kam të incizuara. E ndodhur në këto kushte kam bërë denoncimin në policinë belge, e cila nisur edhe nga hetimet e saj dhe raportin mjekësor i lëshuar nga psikologja belge, unë isha në një gjendje të rënduar psikologjike dhe bazuar në vlerësimet e ekspertëve, gjykata vendos që unë të marr statusin e azilantes në Belgjikë. Që nga ky moment nuk kam reshtur së kërkuari të kontaktoj me djalin tim.

Mos ishte kjo një arsye që të merrnit statusin e azilantes?

Aspak, sepse unë nuk mund ta lija kurrsesi djalin tim dhe pse isha në gjendje të rënduar emocionale dhe psikologjike. Mjafton t’ju them vetëm një fakt. Jam dhunuar psikologjikisht dhe fizikisht dhe shkak i durimit të kësaj gjendjeje ka qenë vetëm djali im, Renis. Fakti që unë kam marr statusin, ka ardhur si pasojë e investigimit të policisë belge atje dhe informacionit që kanë marrë ata në Shqipëri. Nëse unë do të kisha për qëllim largimin vetëm për të përfituar azilin në Belgjikë, do të merrja me çdo kusht të paktën djalin tim.

Sa herë keni kontaktuar me djalin tuaj që prej largimit nga Shqipëria?

Gjithsej kam kontaktuar vetëm dy herë me djalin tim dhe kjo vetëm në rastin kur e kanë bëre të mundur psikologët ekspertë të caktuara nga gjykata. Unë i kam paraqitur gjykatës provat që Bledari nuk më lejon të takoj djalin tim, qoftë edhe nëpërmjet skypi-t, fakt i cili u vërtetua edhe nga gjyqtarët e Apelit Shkodër. Të cilët në momentin që gjyqtarja pyeti djalin se si e ka emrin nëna, ai nuk më njihte. I padjallëzuar, ai tregoi se për nënë njihte bashkëjetuesen e të atit. Mu shemb toka nën këmbë në atë moment. E kisha shumë të vështirë të përballoj këtë dhimbje. Ajo që ishte më e pa tolerueshmja, ishte fakti që gjyqtarja i thoshte për mua që unë jam tezja. Nuk di se si drejtësia funksionon kështu?

A e keni bërë divorcin?

Po. Divorci është bërë që në vitin 2014 dhe është kërkuar nga Bledari gjë, që vërteton që unë nuk kam pasur qellim të prish familjen megjithëse ndihesha e izoluar dhe e dhunuar. Unë vazhdoj të jem vetëm dhe gjithë përpjekjet e mia i bëj vetëm të shoh fëmijën tim që ma mohon pa të drejtë Bledari. Përkundrazi është Bledari ai, i cili ka krijuar një bashkëjetese prej disa vitesh. Uroj të jetë martesa e fundit për të, sepse ai është martuar tri herë.

Përpara disa ditësh keni bërë një denoncim në media që djali juaj është pyetur në ambientet e shkollës nga gjyqtarët?

Po, sapo u informova për këtë vendim të gjykatës, kontaktova medien, e cila mori në konsideratë shqetësimin tim, duke e bërë publike, pasi nuk kam mundësi ku të dëgjohet tjetër zëri im, sepse Bledari më ka mbyllur çdo urë komunikimi me fëmijën tim dhe përpiqet ta paraqesë situatën sikur jam unë që kam braktisur fëmijën. Mund t’iu vë në dispozicion disa video ku jam përpjekur t’i kërkoj Bledarit që të më lejojë të komunikoj me djalin, por ai nuk pranon. Të njëjtën kërkesë ia kam bërë edhe ish-vjehrrës time dhe ajo nuk ka pranuar, gjithashtu.

Kur kanë filluar përpjekjet tuaja për marrjen e fëmijës?

Përpjekjet dhe mundimet e mija kanë filluar që në vitin 2014, kur është bërë divorci. Fillimisht Gjykata e Shkallës së Parë në Shkodër vendosi që kujdestarinë e fëmijës ta kishte Bledari dhe unë të komunikoja me fëmijën me skype, dhe fëmija të vinte gjatë muajve të verës atje ku jetoja unë. Kjo nuk u bë e mundur asnjëherë. Në këto kushte i drejtohem përsëri gjykatës për ndryshim të vendimit të mëparshëm, në lidhje me pjesën e kujdestarisë së fëmijës. Gjykata e Shkallës së Parë, Shkodër mori në shqyrtim çështjen dhe vendosi që kujdestaria e fëmijës të më kalonte mua, kjo bazuar në faktin që Bledari nuk e ekzekutoi asnjëherë vendimin e gjykatës. Gjithashtu, edhe mbi bazën që interesi më i lartë i fëmijës, rekomanduar nga psikologët ishte që djali të qëndronte me mua. Këtë vendim të gjykatës së Shkallës së parë e ankimoi Bledari dhe kështu nisi gjyqi përsëri në Gjykatën e Apelit, e cila pas 10 seancave gjyqësore vendos me kërkesë të avokatit mbrojtës të Bledarit që të pyesë djalin në ambientet e shkollës pa prezencën e avokates sime. Kjo ndodhi duke e ditur që djali kishte tre vjet e gjysmë që ndodhej nën efektin e propagandës së babait, që në çdo moment më paraqet sikur ta kem braktisur atë.

Ka marrë vendim gjykata?

Fatkeqësisht po, për mua vendimi u mor, që në momentin që gjykata pranoi kërkesën e avokatit të Bledarit për ta pyetur fëmijën në shkollë, në një kohë që është vetëm 7 vjeç. Edhe pse ishte përgatitur një raport vlerësimi nga tre psikologë, të cilat erdhën në Belgjikë, panë kushtet e mia dhe në mënyrë unanime vendosen që kujdestaria e djalit të më ngelej mua. Nuk e kuptoj dot se çfarë mund të thotë një djalë 7 vjeç që ka vetëm 1 muaj, që ka filluar shkollën dhe në prezencë të mësueses kujdestare dhe të psikologes së shkollës dhe tre të panjohurve (gjyqtarët dhe sekretarja) në kushtet që i është mohuar plotësisht e drejta për të njohur nënën e vet. Gjykata nuk ka marrë parasysh faktin që unë jam me status azilanti në Belgjikë, dhe nuk mundem të udhëtoj në Shqipëri për aq kohë sa nuk kam mjet identifikimi për udhëtim. Në këtë mënyrë ky vendim, të cilin e kam diskutuar edhe me ekspertë në Belgjikë rezulton të jetë jo efektiv dhe nuk mundëson realizimin e së drejtës sime dhe të djalit për t’u takuar.

Çfarë thuhet në vendim?

Vendimi thotë që duhet të vij fizikisht të marr djalin në një kohë që vendimi i mëparshëm cilësonte qartë që djalin mund ta merrja gjatë verës dhe ai mund të sillej në Belgjikë nga daja i vet, i cili do pajisej sipas ligjit me prokurë.

Si e përballoni jetesën në Belgjike?

Punoj si nëpunëse në një qendër sociale në Belgjike dhe kam filluar studimet e larta për punonjëse sociale. Kam të ardhura të qëndrueshme dhe përpjekjet e mia për marrjen e djalit nuk do të përfundojnë asnjëherë. Dita e parë që unë do të marr dokumentet belge, do vij të takoj djalin tim edhe pse më rrezikohet jeta.