VLORE– Gjendja shëndetësore e gjyqtares Mirela Mishgjoni është stabilizuar dhe mjekët kanë bërë të ditur se nesër ajo mund të lërë spitalin. Gjyqtarja po trajtohet në repartin e ORL-së në spitalin e Vlorës dhe plagët e marra në sy dhe gojë nuk shfaqin probleme serioze.
Ndërsa gjendja e gjyqtares po shkon drejt përmirësimit të plotë, policia e Vlorës është duke punuar intensivisht për identifikimin dhe kapjen e personit që sulmoi me acid gjyqtaren Mishgjoni. Grupi hetimor po punon në disa pista, por kryesorja mbetet ajo që lidhet me detyrën e gjyqtares.
Sot janë shoqëruar disa persona të dyshuar si autorë të ngjarjes, me të cilët gjyqtarja do ballafaqohet nesër në polici. Mishgjoni u ka deklaruar hetuesve se është në gjendje ta njohë personin që e sulmoi, prandaj policia kërkon që ballafaqimi të bëhet sa më shpejt, sepse shpreson që në mes të shoqëruarve të ndodhet autori i ngjarjes së rëndë.
Gjyqtarja Mirela Mishgjoni sulmua dje me acid nga një person i paidentifikuar, i cili e ka pritur teksa ajo dilte nga shtëpia. Personi arriti t’i derdhte acidin në fytyrë duke e dëmtuar veçanërisht në syrin e majtë dhe gojë.
Ngjarja e rëndë ndodhi dje rreth orës 9:00 në lagjen “28 Nëntori” pranë gjimnazit “Ali Demi”, në Vlorë.





