Detaje të reja janë zbardhur lidhur me arratinë e gjyqtares Majlinda Andrea dhe bashkëshortit të saj. Mbrëmjen e së premtes gjyqtarja Andrea së bashku me të shoqin janë nisur drejt Italisë me traget për në Bari rreth orës 23:00.

Prokuroria e Krimeve të rënda dhe ajo e Përgjithshme, kanë nisur hetimet për të zbuluar se kush dekonspiroi operacionin pasi Majlinda është larguar 30 minuta pasi kolegët vendosën t’i arrestonin bashkëshortin dhe ta pezullonin atë për llogari të dosjes së hetimit.

Gjyqtarja e Gjykatës së Lartë Majlinda Andrea ka marrë 50 mijë euro, duke dhënë të martën e shkuar një vendim gjyqësor në favor të Ilia Çabiri dhe Eleni Linos, të cilët ishin në një konflikt gjyqësor për një pronë në zonën e Butrintit në Sarandë. Momenti kur 50 mijë euro paguhen nga sekseri Petraq Dashi te bashkëshorti i gjyqtares Odhise Andrea, që rezulton të jetë dhe këshilltar i Komisionit të Sigurisë në Kuvendin e Shqipërisë, është filmuar nga strukturat policore me urdhër të kryeprokurorit Llalla.

Vetëm pak ditë pas marrjes së lekëve, kolegji civil i Gjykatës së Lartë është mbledhur për shqyrtim të kësaj çështjeje, duke vendosur ditën e martë të pranojë kërkesën e palës që kishte paguar 50 mijë euro: Ilia Çabiri dhe Eleni Lino.