Durrës, 25 mars 2014 – Teuta do të udhëtojë drejt Kukësit për t’u përballur në takimin e parë gjysëmfinal të Kupës së Shqipërisë. Në këtë përballje të parë durrsakët do të kenë një mungesë të rëndësishme. Qendërmbrojtësi Tefik Osmani ka pësuar një dëmtim gjatë seancës përgatitore dhe me shumë gjasa nuk do të jetë i gatshëm për përballjen e parë të Kupës së Shqipërisë. Osmani u dëmtua gjatë një përplasje me njërin prej shokëve të skuadrës teksa dyluftonin për top. Mbrojtësi u largua menjëherë nga terreni sportiv për t’iu nënshtruar kontrollit të stafit mjekësor. Rezultatet e para tregojnë për një dëmtim jo shumë të rëndë, por pas ekzaminimeve të dyta do të ketë një përgjigje të saktë për shkallën e dëmtimit të korçarit. Burime nga stafi mjekësor i skuadrës thonë se mbrojtësi ka pësuar një dëmtim që të paktën do disa ditë të rikuperohet, duke përjashtuar mundësinë që mbrojtësi të jetë në fushë nesër ndaj Kukësit.
Tekniku Ilir Biturku po merr masat e nevojshme për zëvendësimin e korçarit, një mungesë shumë e rëndësishme për durrsakët, të cilët luajnë sezonin në këto tre-katër ndeshjet e ardhshme. Me gjithë mungesën e qendërmbrojtësit Osmani, në kampin durrsak janë të bindur se Teuta do të bëjë paraqitje dinjitoze në përballjen me Kukësin dhe do të marrë një rezultat pozitiv që do t’i favorizonte për ndeshjen e kthimit. Fitorja me Besën ka rikthyer besimin në ekip dhe tashmë durrsakët mendojnë vetëm për fitore.
“Kukësi është një ekip shumë i fortë dhe në të njëjtën kohë shumë i vështirë për t’u mposhtur, por Teuta ka skuadrën e duhur për ta përballuar me sukses. Teuta ka kontigjentin e nevojshëm dhe i ka të gjitha mundësitë për ta kaluar me sukses ndeshjen e parë”,- thotë Biturku.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





