Një 84 vjeçar nga qyteza Guce, nga një provincë verilindore turke, e ka shumë pasion leximin dhe për këtë udhëton çdo ditë duke përshkuar një rrugë prej 8 kilometrash në mënyrë që të lexojë shtypin e ditës.

Ahmet Ali Demiral, baba i gjashtë fëmijëve dhe gjysh i 32 nipërve e mbesave, çdo ditë del nga shtëpia e tij në mesditë, dhe ecën në këmbë për rreth një orë e 30 minuata në qëndrën e qytezës së tij, që t’i lexojë gazetat. Edhe pse mjetet teknologjike kanë përparuar dhe jemi në kohën kur interneti po zëvendëson gati çdo gjë, 84-vjeçari nuk ka hequr dorë nga ky mjet i informimit.

Në një intervistë të dhënë për agjencinë e lajmeve turke Agency Anadoly, 84-vjeçari rrëfen se të gjitha zhvillimet në Turqi dhe në botë, që nga fëmijëria i ndjek vetëm duke i lexuar gazetat dhe në prag mbrëmje ai kthehet sërish në këmbë. Demirel tregon se qyteza ka vetëm një qoshk të gazetave dhe se për të shkuar deri atje, përshkon katër kilometra, të cilat janë të vështira.

“E dua leximin dhe për këtë arsye, nuk kam hequr dorë nga shprehia ime për të lexuar gazetën, përkundër zhvillimeve teknologjike. Zhvillimet brenda dhe jashtë vendit çdo ditë i ndjek nga shtypi”, shprehet Demirel.

Ahmet Ali Demirel thotë se nuk ndien aspak lodhje dhe se emocioni për të shkuar të lexojë gazetat e mban atë në këmbë.