Policia njoftoi sot se ka vënë në pranga Natasha Rombulën dhe Armando Kumarakun, nënë e bir që njihen gjerësisht në rrjetin social Tik Tok, prej fjalorit të rëndë dhe ofendimeve të shumta në videot që publikojnë apo lidhjet live që bëjnë me personazhe të tjera.

Nënë e bir u arrestuan pas kallëzimit të marrë në muajin dhjetor 2023, nga ish-bashkëshortja e Armandos, shtetasja E. A., se ish-bashkëshorti i saj dhe nëna e tij, postonin në rrjetin social TikTok, video ku shfaqej djali i saj i mitur 10 vjeç, duke përdorur fjalë denigruese dhe banale.

Menjëherë kanë referuar materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Berat, e cila regjistroi procedimin penal për këtë rast. 

Si rezultat i hetimeve dymujore me metoda proaktive, u bë shpallja në kërkim e shtetasve Armando Kumaraku dhe Natasha Rombula.  Pas sigurimit të inteligjencës policore, nga specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Kuçovë, për vendndodhjen e këtyre 2 shtetasve, u organizua në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Sarandë, operacioni policor i koduar “Show”, i cilu u finalizua me arrestimin e nënë e bir nga Saranda.

Kjo nuk është hera e parë që kjo familje bëhet protagoniste në media, pasi edhe disa vite më parë kanë dalë në emisione televizive nëna dhe i biri kundër nuses, për çështjen e kujdestarisë së djalit të vetëm të çiftit.