Armanda Bottini është gjyshja 82-vjeçare në Itali, e cila ka mposhtur koronavirusin. Edhe pse të moshuarit preken më shumë nga koronavirusi dhe janë më të rrezikuarit nga ai, 82-vjeçarja është e para që është shëruar plotësisht.

Sipas La Repubblica, ajo tashmë ka dalë nga spitali i San Matteo në Pavia-s, ku ishte shtruar prej një jave. Armanda është shprehur se është shëndoshë e mirë dhe ndihet mjaft e lumtur pranë familjes së saj.

“Më në fund jam në shtëpi me të dashurit e mi, më kanë munguar aq shumë”,- është shprehur e moshuara. 

Një ditë, papritmas Armanda u ndje keq teksa po qëndronte në tryezë me të afërmit. 81-vjeçarja humbi vetëdijen dhe kishte probleme me frymëmarrjen.

E moshuara, gjithashtu vuante nga diabeti i tipit 2 dhe të afërmit e alarmuar e dërguan atë menjëherë në spital. Rezultatet e analizave treguan se ajo ishte infektuar nga koronavirusi. Ndërsa pas një jave betejë, ajo tashmë ka arritur të shërohet plotësisht nga virusi i ri. Mjekët e spitalit e kanë quajtur atë “gjyshja e hekurt”.