Personi që ka marrë rrugën menjëherë sapo ka mësuar lajmin e mirë të lirimit të Nazime Vishës ishte  për ta pritur para burgut, ishte gjyshja e saj, Drita. Ajo tregoi për gazetarët se e ka bërë me vrap rrugën për tek burgu, ndërsa pavarësisht padurimit nuk ka harruar të falënderojë gazetarët, presidentin dhe ministrin Manjani.

“Më telefonuan që është falur Nazimja, nuk e dija. Unë sot kam një gëzim shumë të madh, nuk e imagjinoja këtë gëzim. E kam marrë që nga fusha poshtë deri këtu me vrap. Nuk kisha një njeri që të më shtrëngonte aq e gëzuar isha. Ka vuajtur në burg një minorene. Falënderoj gjithë gazetarët dhe gazetaret, falënderoj shtetin, falënderoj presidentin Bujar Nishani, falënderoj ministrin e drejtësisë Ylli Manjanin. Përshëndes gjithë politikanët e Shqipërisë, janë shumë të mrekullueshëm”, tha ajo shumë e emocionuar dhe e gëzuar.

Gjyshja e 22-vjeçares tregon se fillimisht do e marrë Nazimen në shtëpinë e saj, ndërsa thotë se prindërit ndodhen në Zallbastar. Ajo është optimiste për të ardhmen e Nazimes, për të cilën thotë se ka marrë shumë profesione në burg dhe do të kërkojë punë sapo të dalë.

“Prindërit e vet e kanë falur me kohë, nuk kemi asnjë vërejtje. Nuk e di nëse do jetojë me mua. Të ardhmen e saj e shoh mirë. Do kërkojmë punë, shkollë. Ajo ka mësuar gjithë ato zanate, rrobaqepëse, kuzhiniere, ka qenë e disiplinuar”, thotë gjyshja që ka marrë edhe ëmbëlsira me vete për t’ua shpërndarë gazetarëve dhe personave të tjerë të pranishëm në lirimin e Nazimes.