Në Durrës vijon prej orësh procesi i numërimit të votave për anëtarët e Këshillit Bashkiak.

Deri më tani në Durrës, janë numëruar 164 kuti nga 342 në total.

Sipas përditësimit të KQZ, PS ka marrë 29 mandate (51.6%), e ndjekur nga BF me 13 mandate (24.4%), PD me 5 mandate (9.4%), Partia Agrare Ambientaliste me 3 mandate (6.5%) dhe PDIU me 1 mandat (2.1%).

Bie në sy se koalicioni “Bashkë fitojmë” ka diferencë të theksuar me PS edhe përsa i përket mandateve në Këshillin Bashkiak, ndërsa PD pritet të çojë në parlamentin e qytetit 4-5 këshilltarë.

Nëse në garën për kryetar bashkie, PD nuk paraqiti kandidat, ajo dorëzoi pranë KQZ listën me emrat e 53 kandidatëve për Këshill Bashkiak.

Bie në sy se 4 mandate deri më tani i kanë marrë 2 parti të vogla (PAA e Agron Dukës – 3 mandate dhe PDIU e Shpëtim Idrizit 1 mandat).

Pasditen e së hënës përfundoi procesi i numërimit të votave për kryetar bashkie, ku kandidatja Emiriana Sako mblodhi 48 451 vota (55.5%), ndërsa kandidati Igli Cara 38 734 vota (44.4%).

Më poshtë gjeni disa nga procesverbalet e KZAZ-ve nr.22 dhe nr.23 me rezultatet për QV përkatëse.

Këshilli Bashkiak Durrës ka 51 anëtarë dhe PS ka siguruar deri më tani më shumë se gjysmën e tyre.

Në 4 vitet e fundit, Këshillli Bashkiak Durrës ka qenë vetëm një ngjyrësh për shkak të bojkotit që opozita i bëri zgjedhjeve lokale të vitit 2019.

Në pjesën më të madhe të mbledhjeve të KB, projektvendimet kalonin pa diskutime e debate, me dakordësinë unanime të këshilltarëve të pranishëm.