Joe DioGuardi, ish kongresmen në Amerikë, dëshiron ta realizojë një film mbi Gjergj Kastriot Skënderbeun.
DioGuardi, i cili është me origjinë shqiptare, i ka treguar medieve të huaja se si e ka gati një skenar jo shumë të zhvilluar mbi filmin rreth heroit të madh shqiptar.
“Do t'i tregojmë Amerikës fytyrën e vërtetë të shqiptarëve. Kemi vetëm një koncept të shkurtër, ndërsa një person po merret me analizimin e jetës së Skënderbeut në vitet 1440-1455, kur edhe Skënderbeu ishte në pikun e karrierës”, tregon DioGuardi, shkruan KultPlus.
DioGuardi thotë se dëshiron që filmi të krijohet nga regjisorët më të mirë të Hollivudit, ndërsa kjo ka qenë një ëndërr e tij prej vitesh.
“Nëse ke skenar të mirë dhe aplikon në Hollivud, do të financohesh. Nuk po e bëj këtë për vete por për të gjithë shqiptarët” tregon DioGuardi.
Madje, sipas ish-kongresmenit, është Russell Crowe personi që do të mund ta luante rolin e heroit të madh.





