DURRES, 16 prill 2013 – Durrsaku Gledis Kallço vazhdon të fitojë në olimpiadat kombëtare dhe ndërkombëtare të matematikës, duke qenë në mënyrë absolute, një nga talentet më të spikatura të kësaj shkence në Shqipëri. Së fundmi Gledis Kallço fitoi çmimin e parë kombëtar në olimpiadën kombëtare të matematikës për klasat e 9-ta, në një kohë që doli në vend te tretë në olimpiadën kombëtare të klasave të 11-ta, duke qene në moshë më të vogël se të gjithë pjesëmarrësit.

Kujtojmë se një vit më parë talenti nga Durrësi fitoi çmimin e parë në Olimpiadën Ballkanike mbarëkombëtare dhe medaljen e argjendtë në olimpiadën Ballkanike, ku veç pjesëmarrësve nga të gjitha shtetet e Ballkanit kishte edhe të ftuar nga vende të tjera Europiane. Në të njëjtën kohë në olimpiadën botërore “Kangurou” në Itali, Gledis Kallço doli i treti në një garë ku duke përfshirë dhe turet eleminatore morën pjesë 5 milionë fëmijë nga e gjithë bota.

Talenti durrsak është fitues i rregullt i olimpiadave të rretheve dhe atyre kombëtare për moshën e tij dhe një nga më të mirët në olimpiadat e moshave të rritura. Formimi i talentit të rrallë të matematikës nuk mbaron vetëm me shkencat, por dhe në lëndët e tjera. Disa ditë më parë ai konkuroi në përzgjedhjen që bën në shkallë kombëtare kolegji “Turgut Ozal “, duke marrë vendin e parë dhe duke fituar bursën e plotë në këtë kolegj. Pasioni i Gledisit është matematika dhe sporti.

I thjeshtë dhe i dashur me shokët, mësuesit dhe familjen, Gledisi kërkon të eksplorojë në shkencën e matematikës dhe informatikës. Ajo që vlen të theksohet në këtë rast është fakti se dëshira dhe vullneti i madh i këtij talenti duhet të stimulohet dhe mbështetet shteti, pasi duke marrë shembull nga eksperienca botërore talente të kësaj natyre trajtohen në mënyrë të veçantë nga shtetet e zhvilluara.

Në olimpiadën e fundit botërore të matematikës në Hollandë, Gledis Kallço duke qenë konkurenti në moshë më të vogël u vlerësua me çmimin e të ardhmes në matematikë, në një kohë që në olimpiadën e rradhës në Kolumbi Gledisi rrezikon të mos paraqitet për faktin se shteti shqiptar akoma nuk ka marrë përsipër shpenzimet e udhëtimit. Një rast ky për të kujtuar se talentet duhen mbështetur më tepër, pasi janë si pemët që frutat i japin më vonë, por që për këtë nevojitet mbështetje dhe inkurajim. 

/m.b. Agjencia e lajmeve "Dyrrah"/