11 qershor 2015 – Policia e Tiranës ka arrestuar dy persona pasi kanë kundërshtuar uniformat blu, madje dhe i kanë goditur me shishe, për shkak të vendosjes së një gjobe.
Afrim Shote, 37 vjeç dhe Sofi Shote, 56 vjeç, u arrestuan, ndërsa dy shtetasit e tjerë G.M., 43 vjeç dhe E.M., 51 vjeç, po procedohen penalisht në gjendje të lirë për shkak se nuk kanë ushtruar dhunë ndaj punonjësve të policisë, por vetëm i kanë kundërshtuar ata.
Ngjarja ka ndodhur tri ditë më parë, kur dy efektivë policie po vendosnin gjoba për dy makina që ishin të parkuara në kundërshtim me rregullat në zonën e Freskut në Tiranë. Drejtuesit e automjeteve, Afrim dhe Sofi Shote që ishin brenda në lokal duke pirë, kanë dalë jashtë dhe kanë kundërshtuar vënien e gjobave, duke i qëlluar edhe fizikisht uniformat blu.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/