14 dhjetor 2014 –  Tre precedentët e fundit me doping në kampionatin botëror të peshëngritjes, Romela Begaj, Hysen Pulaku dhe Daniel Godelli, shton edhe më shumë teoritë e reja konspirative. Daniel Godelli, i shpallur kampion bote në Almati të Kazakistanit në muajin nëntor, por për momentin i pezulluar nga Federata Botërore (IWF) pasi rezultoi pozitiv në testin A me substancën e ndaluar stanozolol, ka ironizuar nëpërmjet një postimi të tij në rrjetin social “Facebook”, por pa përmendur emra konkretë.

“Morëm pushkët, dolëm malit të luftonim për atdhe. Ku ta dinim ne të gjorët që armiku ishte me ne”, shkruan Godelli në “Facebook”. Më pas medalisti i artë në Botërorin e nëntorit ka vijuar me një tjetër koment, duke konfirmuar se janë bashkë, ndërsa ka postuar një foto në shoqërinë e zëdhënësit të federatës Agron Haxhihyseni, sekretarit të Përgjithshëm, Muharrem Berisha, Hysen Pulakut, presidentit të federatës, Elez Gjoza, dhe peshëngritësit tjetër, Endri Haxhihyseni. “Të mërzitur, por jo të përçarë. Gjithmonë bashkë”. Ditë më parë Godelli shprehu bindjen për “Panorama Sport” se si ai, ashtu edhe peshëngritësit e tjerë që kanë rezultuar pozitivë, nuk kanë përdorur me dijeni substanca dopuese. “Nuk jam dopuar dhe s’kam përdorur asnjë substancë të ndaluar. Të paktën një gjë të tillë s’e kam bërë me vetëdije. Do të presim përgjigjet e testit B dhe më pas do të flasim për gjëra më konkrete. Por po u them edhe njëherë se unë nuk kam marrë asnjë substancë të ndaluar”, ka deklaruar peshëngritësi peqinas.