DURRËS, 13 nëntor 2014– “Është një titull për të gjithë shqiptarët”. Daniel Godelli, dragoi i peshëngritjes shqiptare ndan me të gjithë bashkëkombasit e tij titullin e kampionit të botës për një tjetër motiv krenarie mbarëkombëtare. Vetëm pak orë pasi është ngjitur në catinë e botës, 22 vjecari peqinas flet për këtë moment kulmor në karrierën e tij por dhe për sportin shqiptar. “Ishte një emocion i vecantë sepse kam shumë muaj që punoj për këtë ditë dhe në ato 5 minutat e garës më iku gjithë ajo lodhje që kisha gjithë ai stres para garës, kështu që jam shumë i lumtur. Unë e kam ëndërruar këtë ditë që të vinte. Jam stërvitur fort për këtë ditë, kështu që e prisja pavarësisht se tani që ja dolë ndihem shumë më i lumtur nga sa e kisha imagjinuar”. Natyrisht që titulli botëror nuk është një mision i lehtë, por Godelli ka qenë i pregatitur për këtë arritje në të gjitha aspektet.
“ Nga ana psikologjike ndihesha shumë mirë sepse kisha shumë njerëz afër që më jepnin kurajo, kështu që nuk e kisha problem, pesha më mundoi pak por ja dola”. Pyetja se cili ishte momenti më emocional i garës dhe kureshtja se përse nuk arriti të thyente rekordin botëror. “ Momenti më emocional ishte kur tentova të thyeja rekordin e botës. E kisha provuar atë peshë edhe në stërvitje në palestër, por për një pakujdesi të vogël nuk arrita ta thyej”. Thyerja e rekordit tashmë mbetet në listën e gjërave që mbeten për tu bërë, ashtu si dhe medalja olimpike. “ Unë di të them që me punë bëhet gjithçka. Kam punuar, jam stërvitur fort, jam munduar për këtë ditë dhe ja arrita ta bëj, dhe premtoj që më shumë do bëj. Shpresoj që ta plotësoj koleksionin tim dhe me medaljen olimpike që të ndihem i plotësuar”. Gara e Godellit ka mbajtur me frymën pezull të gjithë ata që e kanë ndjekur , por padyshim emocionet kanë qenë të shumëfishuara për presidentin e FSHP, Elez Gjoza që ishte pranë Godellit në ato momente. “Thashë se më doli zemra vendit. Ishte fantastike. Godelli ia doli të mposhtë 3 milionë peshëngritës kinezë. Imagjinoni se cdo të thotë kjo fitore në atë bateri të përbërë vetëm nga kampionë e nënkampionë. Është hera e parë që arrijmë një sukses të tillë në historinë e Shqipërisë, të kemi një kampion bote. Ishte vërtet një sukses i mrekullueshëm që ne e meritojmë." Gjoza nuk harron të falënderojë gjithë ata që kanë kontribuar në këtë sukssesm, duke zbuluar edhe disa detaje interesante. "Dua ti falënderoj të gjithë ata që kanë ndihmuar, Trajnerin e Kombëtares Zef Kovaci si dhe Sokol Bishanakun. Dua të falënderoj djalin tonë Luan Shabanin që ka stërvitur për 4 muaj djemtë në Athinë por dua të falënderoj për ndihmën dhe kryetarin e parlamentit Ilir Meta dhe kryeministrin Edi Rama që na garantuan një fond prej 100 mijë eurosh vetëm për Kampionatin Kombetar”. Titulli i Godellit mund të jetë një leksion edhe për politikanët. Ndoshta ato 100 mijë euro për peshëngritjen, kanë qenë më të mirëshpenzuarat në historinë e këtyre viteve të fundit nga shteti shqiptar.





