DURRËS, 21 tetor 2014– Përsëri paraqitet "droni" para tifozëve të futbollit, këtë herë në qiellin e Zvicrës. Mirëpo, për dallim nga ajo që ndodhi në Beograd në ndeshjen Serbi – Shqipëri, kësaj here u duartrokit nga tifozët dhe futbollistët në fushë. Kjo fluturake mbante mesazhin: "Gegen Geëalt & Diskriminierung", e që në shqip është "Kundër dhunës & diskriminimit". Të gjithë shikuesit u ngritën në këmbë dhe e duartrokitën gjatë dronin që bartte mesazhin paqësor dhe, si duket, kjo fluturake që nga 14 tetori do të mbahet mend nga tifozët shqiptarë. Që nga fillimi i ndeshjes, atmosferën në publik e ngriti "droni" dhe, siç duket, kjo i ndihmoi edhe skuadrës FC Kosova që të luante më mirë, përkundër kundërshtarit që këtë herë ishte FC Linth 04.
Presidenti i klubit të FC Kosova, Arsim Hyseni, thotë se sportistët shqiptarë si dhe shqiptarët në përgjithësi janë kundër dhunës dhe meqenëse këtë javë luhen të gjitha ndeshjet me moton “Kundër dhunës dhe diskriminimit”, edhe ne si sportistë iu bashkangjitëm këtij aksioni.
"Duke qenë po zhvillohet Java kundër dhunës dhe diskriminimit në futboll, edhe ne jemi pjesëmarrës të asaj kampanje. Duhet të tregojmë që edhe ne si shqiptarë kudo që jetojmë, edhe në Zvicër, dhe si futbollistë jemi kundër çdo dhune, kundër çdo akti të dhunës edhe në sport, e sidomos në futboll, të distancohemi prej çdo lloj dhune", tha z. Hyseni, duke shtuar se kjo fluturake ka një lidhje vetëm simbolike me atë fluturaken në Beograd, mirëpo atje kemi parë skena që natyrisht se nuk dëshiron askush t’i shohë në fushën e futbollit, skena ato që ishin jashtëzakonisht të mjerueshme dhe që nuk i përkasin aspak futbollit. Gjersa publiku po përcillnin ndeshjen e futbollit me vëmendje, për ta bërë një atmosferë më të ngrohtë në stadium erdhi Albert Bunjaku, futbollisti që ka luajtur për kombëtaren e Zvicrës U-21 dhe që aktualisht luan për kombëtaren e Kosovës. Bunjaku u prit nga publiku me duartrokitje dhe brohoritje. Bunjaku tha se është mirë që mbahet kjo javë kundër dhunës dhe diskriminimit, dhe se në sport nuk duhet të ketë dhunë. "Mirë që po ndodh kjo, bile edhe ne dje e kemi pasur të njëjtin mesazh kur dolëm në fushë, dhe është një mesazh i mirë, sepse secili futbollist duhet të respektohet dhe të kemi respekt për njëri- tjetrin", tha Bunjaku. Ai shtoi se sa herë që vjen në Zürich dëshiron t'i vizitojë shokët, sepse ka mjaft miq këtu, dhe gjithashtu tha se sot në këtë ndeshje që po zhvillon FC Kosova publiku e ka pritur shumë mirë dhe se gjithmonë publiku shqiptar është i mrekullueshëm. Krahas një atmosfere të mrekullueshme dhe një kohe që ishte ideale për një weekend, edhe rezultati i takimit në mes të FC Kosovës dhe FC Linth 04 shkonte në favor të shqiptarëve. Pjesa e parë ishte lojë me aksione dhe e hapur, ku secili ekip kishte raste për shënim, por pjesa e parë u mbyll me epërsi të FC Kosovës që nga pika e bardhë 1-0 në minutën 25 shënoi Shqiprim Aliaj. Në pjesën e dytë shqiptarët rritën presionin edhe më të madh ndaj kundërshtarit, duke bërë kështu që në minutën e 47-të Mehmet Hasani të shënojë golin e dytë. Ky takim u përmbyll me fitore të FC Kosovës me rezultatin 2-1, ku mysafirët këtë gol e shënuan në minutat e fundit të takimit.





