DURRES, 05 mars 2013 – Sherret për motive pronësie, për pak sa nuk i kanë kushtuar jetën një 88-vjeçareje në fshatin Shkallnuer të Durrësit. E moshuara, është rrahur barbarisht nga fqinji në oborrin e banesës së saj, dhe për pasojë ka përfunduar në gjendje të rëndë shëndetësore në Spitalin Rajonal të Durrësit. Pas ngjarjes së ndodhur pasditen e së dielës, policia ka arrestuar agresorin Indrit Sulmina, i cili ka rrahur dhe djalin 61-vjeçar të viktimës, Pëllumb Petallin. Burime zyrtare nga Drejtoria e Policisë së Qarkut të Durrësit pohojnë se prej disa kohësh familjet fqinje, Sulmina dhe Petalli, komshinj, kishin grindje të vazhdueshme me fjalë dhe nuk flisnin.
Mësohet se rreth orës 16:00, pulat e familjes Petalli ishin futur në bahçen e sapombjellë në pronësi të Indrit Sulminës. Ky i fundit u kishte thënë disa herë komshinjve që të kishin kujdes sepse pulat i kishin bërë dëm në bahçe, duke i shkulur nga rrënjët të mbjellat. Pasditen e së dielës, 41-vjeçari ka humbur durimin, ndaj është sulur në familjen Petalli. Fillimisht dy fqinjët janë grindur me fjalë, por më pas sherri ka degjeneruar në përleshje e goditje me grushta. 61-vjeçari i ka thënë Sulminës që të largohej nga banesa, pasi në të kundërt do të thërriste policinë. Por gjakrat janë ndezur më keq dhe dy burrat kanë nisur të godasin njëri-tjetrin me hunj dhe gurë.
E terrorizuar nga skena e dhunshme, Emine Petalli ka hyrë mes djalit të saj dhe fqinjit për t’i ndarë. Por 41-vjeçari Sulmina nuk është tërhequr. Ai ka goditur me mjete të forta 88-vjeçaren, duke i shkaktuar fraktura të shumta në trup dhe në kokë, si dhe ka rrahur dhe djalin e saj, Pëllumbin. Ndërhyrja e fqinjëve të tjerë ka shmangur një krim të mundshëm. E moshuara është dërguar në Spitalin e Durrësit, ku i është dhënë ndihma e parë mjekësore. Ndërsa, blutë kanë vënë në pranga 41-vjeçarin.





