Sulmuesi i Genoa Mauricio Pinilla është pezulluar për pesë ndeshje pasi goditi arbitrin Claudio Gavillucci gjatë humbjes 5:0 të ekipit të tij në Serie A ndaj Atalanta-s të dielën, kështu ka deklaruar komisioni i disiplinës. Pinilla – i cili është huazuar te Genoa pikërisht nga Atalanta – doli nga fusha pas dy kartonëve të verdhë brenda shumë pak minutave kur ekipi ishte në disavantazh 2:0.
Lojtari i përfaqësueses kiliane mori kartonin e parë të verdhë pas një ndërhyrje të rëndë ndaj Etrit Berishës dhe si pasojë protestoi te arbitri i ndeshjes. Kryesori Gavillucci i nxori kartonin e dytë për të dytën herë sulmuesit, i cili reagoi i nervozuar dhe duhet të mbahej nga shokët e ekipit përpara se të largohej nga fusha. Nëpërmjet një deklarate për shtyp trupi disiplinor u shpreh se Pinilla përdori një fjalor ofendues ndaj arbitrit, si dhe duke bërë një gjest fyes, përpara se të godiste. “Pasi pa kartonin e kuq, Pinilla iu afrua arbitrit duke e kërcënuar me sjelljen e tij, dhe më pas duke e goditur me shpulla në krah dhe në dorën e djathtë.” Pas daljes me karton të kuq të Pinilla, Gomez shënoi dy gola të tjerë duke kompletuar kështu tripletën e tij.