Policia italiane dje ka arritur të shkatërrojë 3 grupe shqiptarësh që merreshin me grabitje të apartamenteve në Milano dhe rrethina. Sipas mediave italiane, 17 personat e arrestuar tashmë dhe të dërguar në burg janë të gjithë shqiptarë.
Vjedhjet dhe tentativat e vjedhjeve janë kryer të gjitha në katër muajt e fundit dhe në provincat e Milanos. Të akuzuarit për vjedhje janë anëtarë të 3 bandave të ndryshme, por herë pas here ata bashkëvepronin dhe madje edhe shkëmbenin anëtarë.
Nga të dhënat e karabinierëve, rezulton se shqiptarët kanë kryer ose kanë tentuar të kryejnë saktësisht 23 vjedhje në Milano, një në Monza dhe Brianza, 1 në Breshia, 8 në Komo, 4 në Kremona, 3 në Lecco, dhe 17 në Vareze.
Hajdutët e dyshuar hynin nëpër shtëpi kryesisht natën, madje edhe në kohën që në banesa ishin pronarët.
Në njërin rast, pranë Castellanza, jo larg Varesës, një nga grupet kriminale pas një vjedhjeje dhe ikjeje u përlesh me policë. Pas kësaj, karabinieria lokale punoi për të çmontuar grupin. Disa prej të arrestuarve kishin menduar që në ditën e arrestimit të ktheheshin në Shqipëri.
Në këtë aksion u konfiskuan edhe armë, dy pistoleta, një revolver 357 magnum dhe një kalibër gjysmë-automatik 9×21 me 11 municione të kalibrit të ndryshëm, që rezultuan të vjedhur. U kapën edhe makina të dyshuara të vjedhura, si dhe 2 mijë euro e mallra të tjera që besohet se janë të vjedhura po ashtu.
Të arrestuarit janë dërguar në paraburgim në Monza. Në fakt, duhej të arrestoheshin 20 persona, por 3 kishin ikur në Shqipëri përpara ndalimeve. Pesë nga 17 të burgosurit ishin gati të iknin dhe u bllokuan në rrugë.





