Policia e Tiranës ka arrestuar dy persona të cilët akuzohen për shpërndarje të lëndëve narkotike.

Sipas policisë janë sekuestruar doza me lëndë narkotike kanabis, një shumë parash, aparate celular dhe sende të tjera të kundërligjshme.

Mësohet se në pranga ka rënë shtetasi E. M, 28-vjeç, pasi gjatë kontrollit fizik dhe kontrollit të ushtruar në banesën e tij, u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 52 doza me lëndë narkotike kanabis.

Ndërkohë, nga Forca e Posaçme “Shigjetat” në bashkëpunim me Seksionin e Narkotikëve u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit K. M, 21 vjeç, pasi gjatë kontrollit fizik dhe në banesën e tij, iu gjet dhe iu sekuestrua 46 doza me lëndë narkotike kanabis,një shumë parash, një aparat celular dhe qese farmaceutike që përdoreshin për paketimin e lëndës narkotike.

Materialet iu dërguan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, në ngarkim të këtyre shtetasve, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.