Shtatë persona nga Durrësi, Delvina e Lushnja, pjesë e një bande që merrej me trafik ndërkombëtar lëndësh narkotike, kanë rënë në prangat e policisë në kuadër të operacionit “Quaranta”, zhvilluar nga Policia e Shtetit.

Në sajë të një bashkëpunimi mes Policisë së Shtetit me Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale, Policinë e Durrësit, Fierit dhe Vlorës, u arrestuan:

  1. Petro (Abedin) KUCI, 47 vjeç, banues në Stiar, Delvinë (Organizator)
  2. Arben KANINA, 44 vjeç,  banues në Delvinë (Organizator)
  3. Mirel ADEMI, 31 vjeç,  banues në Delvinë (Transportues)
  4. Artur SHUKULLI, 42 vjeç,  banues në Delvinë (Transportues)
  5. Donald (QOSJA) SHANDRO, 36 vjeç, banues në Lushnje (Organizator)
  6. Bledar MURATI, 29 vjeç, banues në Durrës (Transportues)
  7. Xhovan SARAÇI, 30 vjeç, banues në Durrës (Transportues)

Burime zyrtare të policisë njoftojnë se procedimi penal është regjistruar pranë Prokurorisë për Krime të Rënda në shtator të vitit 2013. Në kuadër të këtij procedimi janë arrestuar gjithsej në vendin tonë dhe në Zvicër 16 shtetas, nga të cilët 3 në Zvicër dhe 13 në vendin tonë.

Personat e arrestuar në vendin tonë ishin pjesë e tri grupeve kriminale që operonin në Tiranë, Durrës, Fier, Gjirokastër dhe Sarandë. Ata e siguronin lëndën narkotike kryesisht në Lazarat dhe në malësinë e Vlorës.

Më pas transportohej me mushka, grumbullohej në zonën e pyllëzuar të Delvinës ose në shtëpi të pabanuara dhe trafikohej drejt Greqisë ose Italisë.

Hetimi ka pasur një shtrirje kohore rreth 3-vjeçare, kohë gjatë së cilës janë sekuestruar në vendin tonë dhe në Zvicër në disa raste;

  • 85 kg e 900 gramë lëndë narkotike e llojit kanabis sativa, në datën 05.10.2013, në Tiranë;
  • 670.135 kg lëndë narkotike e llojit kanabis sativa në datën 29.04.2014, në Sarandë, në Pyllin e Gështenjave në afërsi të vendit të quajtur Bushnec;
  • 60 gramë lëndë narkotike e llojit kokainë, në datën 06.06.2014, në Kavajë dhe Fier;
  • 6 kg e 900 gramë lëndë narkotike e llojit heroinë, gjatë viteve 2013 dhe 2014 në Zvicër;
  • 1.5 kg lëndë narkotike e llojit kokainë, në Zvicër gjatë vitit 2014.

Policia thotë se po bashkëpunohet me partnerët e vendeve të tranzitit dhe destinacionit të lëndëve narkotike, me qëllim shkëmbimin e informacionit dhe materialeve procedurale, që dokumentojnë me prova ligjore aktivitetin kriminal të trafikimit të lëndëve narkotike.