Autoritetet italiane kanë goditur një bandë shqiptarësh të cilët vidhnin banesa në zona të Italisë si Pavia, Alessandria, Savona dhe Lodi. Policia italiane ka arrestuar 4 persona, si autor të më shumë se 20 vjedhjeve që janë kryer nga dhjetori 2021 deri në janar 2022.
Në shkurt të dy viteve më parë karabinierët kishin arritur tashmë të arrestonin një nga anëtarët e bandës dhe të merrnin një sasi të madhe malli të vjedhur që përbëhej nga sende të çmuara, me vlerë disa mijëra euro, i cili më pas iu kthye pronarëve, shkruajnë mediat italiane.
Një tjetër anëtar i bandës u arrestua më pas në mars 2022, me ndihmën e policisë kufitare, i alarmuar nga njësia hetimore e Pavias, teksa po përpiqej të kthehej në mënyrë klandestine në Shqipëri me një kamion në portin e Ankonës.
Tashmë gjyqtari i hetimeve paraprake të gjykatës së Pavias ka lëshuar masën e paraburgimit në burg ndaj anëtarëve të tjerë të bandës, duke i bërë ata përgjegjës për rreth 20 vjedhje banesash. Urdhër i cili u zbatua në orët e para të mëngjesit të kësaj të premteje.