Një grup hajdutësh të specializuar nga Durrësi, i përbërë prej 5 të rinjsh, një prej të cilëve një vajzë 17 vjeçe, shkonin deri në jug të vendit për të kryer vjedhje lokalesh dhe banesash.

Por pas një pune intensive të kryer nga Specialistët Kundër Krimeve në Policinë e Tepelenës është bërë i mundur arrestimi në flagrancë i tyre.

Ata janë:

Panajot Bakiu, 22 vjeç, banues në Durrës.

Sali Hilaj, 24 vjeç, banues në Durrës.

Edmond Pjetri, 22 vjeç, banues në Durrës.

A. GJ., 17 vjeç, banues në Durrës.

A.B., 17 vjeçe, banuese në Durrës.

Në bashkëpunim me njëri-tjetrin, shtetasit e mësipërm kanë kryer një sërë vjedhjesh në Tepelenë, Memaliaj dhe Këlcyrë. Madje brenda së njëjtës natë, ata kanë vjedhur 4 lokale të ndryshme.

4 lokale në një natë të vetme në Tepelenë

Në datë 10.03.2017, në Tepelenë, kanë vjedhur me thyerje lokalin e shtetasit A.A. Në Memaliaj kanë vjedhur me thyerje lokalin e shtetasit Q.V.; lokalin e shtetasit G.M. dhe lokalin e shtetasit G.T.

Në datë 06.03.2017, në Këlcyrë kanë vjedhur dyqanin e shtetasit E.B., si dhe në datë 10.03.2017, në Këlcyrë kanë tentuar të vjedhin dyqanin “Servis Celularësh”, të shtetasit F.Ç.

Sendet e sekuestruara

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan disa maska, dorashka, kaçavida, leva hekuri, një shumë prëj 10.000 lekë, 20 euro, dy telefona celular, një Laptop, disa shishe me pije alkolike (sendet në foto), si dhe automjeti tip “Benz”, me targa AA570HC të marë me qira.

Policia thotë se po vijon puna në bashkëpunim me Prokurorinë për dokumentimin e disa vjedhjeve të tjera të ndodhura më parë, për të cilat dyshohet se kanë për autorë këta persona.