Policia spanjolle ka shkatërruar një grup shqiptar që merrej me trafik droge.
Banda shqiptare kultivonte plantacione të marijuanës në shtëpi të mëdha të shpërndara në vende të ndryshme në provincën Malaga në Spanjë.
Operacioni filloi në maj 2021 kur agjentët gjetën një shtëpi në Coín që mbante një erë të fortë marijuane dhe menjëherë pas kësaj nisën hetimet për të zbuluar se kush fshihej pas saj. Hapat operacionalë të ndërmarrë treguan se ishte një organizatë kriminale që përdorte këtë dhe shtëpi të tjera për të rritur marijuanën në ambiente të mbyllura,
Pas disa muajsh hetime agjentët gjetën edhe 6 shtëpi të tjera me karakteristika të ngjashme në komunat Mijas, Alhaurín de la Torre, Marbella dhe Fuengirola që përdoreshin gjithashtu nga organizata.
Gjatë operacionit u arrestuan 15 anëtarët e organizatës, të gjithë me kombësi shqiptare, shkruajnë mediat spanjolle.
Nga operacioni u sekuestruan gjithsej 3696 bimë marihuanë në faza të ndryshme të rritjes, 167 kilogramë sytha marihuane, 6336 euro, 3 automjete dhe 1 detektor të sistemit GPS.





