Plot 39 persona, që dyshohen se i përkasin klanit të “Cosa Nostra”-s siçiliane, u vunë në pranga gjatë një aksioni të përbashkët të policisë italiane dhe asaj gjermane.
Rreth 600 pjesëtarë të njësive Antimafia, “Duso” dhe “Extra Fines”, morën pjesë në operacionin në Romë, ku u arrestuan 37 vetë. Në Këln, policia vuri në pranga dy italianë të akuzuar për trafikim droge dhe veprime kriminale në tregtinë e ushqimeve.
Të gjithë të arrestuarit duhet t’i përkasin klanit “Rinzivillo” të organizatës mafioze “Cosa Nostra”. Familja në fjalë, me origjinë nga Gela e Siçilisë, përpiqej të shtinte në dorë tregtinë e prodhimeve të peshkut në Romë, Milano dhe Gjermani.
Po ashtu, anëtarët e klanit “Rinzivillo” kishin kontakte edhe me Antonio Strangion, pronarin e lokalit “Da Bruno” në Duisburg, ku në gusht të vitit 2007, gjatë të shtënave me armë u shënuan 6 të vdekur.
Goditja e suksesshme kundër klanit mafioz u bë e mundshme falë hetimeve disavjeçare dhe bashkëpunimit mes Prokurorisë së Italisë dhe atyre të Gjermanisë, në Karlsruhe dhe Këln.
Gjatë arrestimeve janë sekuestruar armë, drogë, pasuri të patundshme dhe mallra me vlerë prej 11 milionë eurosh./TCh