Policia e Durrësit ka sekuestruar 1056 litra lëndë djegëse kontrabandë dhe ka vënë në pranga poseduesin e saj, shtetasin Rifat Hoxha, 51 vjeç, banues në Durrës.
Specialistët e Krimit Ekonomik dhe Financiar kanë arritur të finalizojnë me sukses operacionin e koduar “Gomisti”, pas një hetimi 1-mujor të specializuar dhe intensiv duke bërë të mundur goditjen e këtij aktiviteti të paligjshëm.
Operacioni është zhvilluar ditën e djeshme, kur policia, gjatë kontrollit të ushtruar në automjetin me targa DR 1039 F tip “Mazda” si edhe në garazhin e të arrestuarit, gjeti dhe sekuestroi rreth 1056 litra lëndë djegëse, gazoil. Gjithashtu u sekuestruan edhe automjeti i Hoxhës së bashku me një telefon “Nokia”.
Sipas policisë së Durrësit, Hoxha nuk dispononte faturë blerje- shitje dhe leje për të ushtruar aktivitetin.
Ai akuzohet për veprat penale “Tregtimi i mallrave që janë kontrabandë” dhe “Ruajtja ose depozitimi i mallrave kontrabandë”.
S.L.





