Tiranë, 25 mars 2014– Banesa e kryetarit të komunës Farkë në Tiranë është qëlluar me antitank. Fillimisht u tha se shpërthimi i regjistruar në orët e para të mëngjesit të sotëm në murin rrethues të banesës së kryekomunarit Fatbardh Plaku mund të ishte shkaktuar nga një sasi tritoli, por më pas u mësua se ishte qëlluar me një predhë antitank. Fatmirësisht predha nuk ka shpërthyer dhe sipas hetuesve, shkak për këtë mund të ketë qenë baruti i skaduar. Nëse predha do të kishte shpërthyer bilanci i këtij sulmi mund të kishte qenë më i rëndë, pasi në momentin kur autorët kanë qëlluar me antitank, në vilë kanë qenë të gjithë anëtarët e familjes së kryekomunarit.

Grupi hetimor është duke punuar për identifikimin dhe kapjen e autorëve të këtij akti. Vetë kryekomunari i Fllakës është shprehur se nuk ka dijeni se cili mund të jetë personi apo personat që kanë ndërmarrë një veprim të tillë, pasi sipas tij nuk ka konflikte të hapura me askënd.

PD dënon ashpër atentatin ndaj Kryetarit të Komunës Farkë

Pas ngjarjes së rëndë të goditjes me antitank të Fatbardh Plakut dhe familjes së tij, selia blu, përmes deputetit Keltis Kruja bën përgjegjëse qeverinë që nuk siguron rendin dhe qetësinë në vend.

“Partia Demokratike e konsideron këtë ngjarje, si një sulm burracak ndaj një të zgjedhuri vendor, ndaj një zyrtari demokrat të votuar nga qytetarët, që është njëkohësisht kryetar i shoqatës së komunave të Shqipërisë.Partia Demokratike është e shqetësuar se prej 7 muajsh, qysh se kjo qeveri ka ardhur në pushtet, të zgjedhurit dhe zyrtarët demokratë kanë qenë vazhdimisht objekt i sulmeve të rënda që kanë kërcënuar jetën e tyre dhe të familjeve të tyre”,- u shpreh deputeti i PD-së, Keltis Kruja.

/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/