RIO DE JANEIRO, 10 maj 2013– Një grua braziliane ka qenë me shumë fat, ndërsa i ka mbijetuar goditjes me një armë-shtizë nga bashkëshorti i saj.
Ky i fundit e ka qëlluar atë aksidentalisht, por shtiza i ka hyrë gruas në gojë e i ka dalë në shtyllën kurrizore.
28-vjeçarja Elisangela Rosa ishte në kuzhinën e shtëpisë së saj në qytetin Arraial do Cabo, në shtetin Rio de Janeiro, kur bashkëshorti e qëlloi pa dashje ndërsa pastronte armën.
Shtiza kaloi nëpër nofull, shpoi faringun, dhe më pas theu dy dhëmballë për të përfunduar në vertebrën e parë të shtyllës kurrizore.
Pasi u transportua në spital, për dy orë më radhë mjekët larguan shtizën dhe e stabilizuan gjendjen e saj.
Doktorët thanë se vetëm një centimetër më tutje dhe gruaja do të kishte pasur një goditje fatale, ose që do ta linte atë tetraplegjike.





