Zyrtarët palestinezë thonë se Izraeli sulmoi me dron një klinikë në Gazën veriore, ku fëmijët po vaksinoheshin për poliomielitin, duke plagosur gjashtë persona, përfshirë katër fëmijë. Por, ushtria izraelite e mohon këtë.

Sulmi i supozuar ndodhi të shtunën në Gazën veriore, e cila ka qenë e rrethuar nga forcat izraelite dhe kryesisht e izoluar vitin e kaluar. Izraeli ka kryer një tjetër ofensivë atje gjatë javëve të fundit që ka vrarë qindra njerëz dhe ka zhvendosur dhjetëra mijëra, raporton AP.

Forcat izraelite kanë sulmuar vazhdimisht spitalet në Gaza gjatë rrjedhës së luftës, duke thënë se Hamasi i përdor ato për qëllime militante, akuza të mohuara nga zyrtarët palestinezë të shëndetësisë.

Dr. Munir al-Boursh, drejtor i përgjithshëm i Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza, ka thënë për Associated Press se ushtria izraelite goditi klinikën Sheikh Radëan në qytetin e Gazës të shtunën herët pasdite, vetëm pak minuta pasi një delegacion i Kombeve të Bashkuara u largua nga objekti.

Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe agjencia e OKB-së për fëmijë, e njohur si UNICEF, të cilat së bashku po kryejnë fushatën e vaksinimit ndaj poliomielitit, shprehën shqetësimin për sulmin e raportuar.