Dy shtetas shqiptarë janë vënë në pranga nga autoritetet zvicerane, pasi u kapën duke transportuar 30 kilogramë kokainë në makinë. Ngjarja ka ndodhur në kantonin e Ticinos dhe vjen si rezultat i një operacioni të Zyrës Federale për Doganat dhe Sigurinë Kufitare (UDSC).

Të rinjtë, të moshës 28 dhe 30 vjeç, ishin duke udhëtuar me një veturë në të cilën ishte fshehur ngarkesa e paligjshme, ndërsa ndalimi i tyre është bërë në kuadër të një hetimi të koordinuar nga prokurori publik i kantonit, Luca Losa.

Sipas mediave të huaja, droga e sekuestruar nuk kishte destinacion përfundimtar Zvicrën, por ishte në rrugë drejt vendeve të tjera të Europës. Të dy personat janë marrë në pyetje dhe janë arrestuar nën akuzën e shkeljes së rëndë të Ligjit Federal për Narkotikët. Hetimet për origjinën dhe rrjetin e trafikimit vijojnë.