11 persona janë ndaluar gjatë mesditës së sotme me urdhër të Prokurorisë së Durrësit, 9 prej të cilave femra dhe 2 meshkuj, të dyshuar si të përfshirë në një rrjet prostitucioni që zhvillohej në zonën e plazhit. Por gjatë operacionit policor, në zbatim të urdhrave të ndalimit të Prokurorisë së Durrësit, janë arrestuar në flagrancë edhe 4 persona të tjerë, klientë, duke e çuar numrin e të ndaluarve në 15 persona.
Sipas burimeve nga Prokuroria, këta persona janë ndaluar si të dyshuar për veprën penale të “Mbajtjes se Lokaleve për Prostitucion”, “Shfrytëzimit te Prostitucionit” dhe “Prostitucion”.
Nga hetimet e kryera ka rezultuar se aktiviteti i paligjshëm kryhej në lagjen nr. 13, Plazh Durrës, konkretisht ne vendin e quajtur ish-tregu i makinave ku ndodhet një hotel, i cili administrohet nga shtetasja S. S.
Në ambientet e këtij hoteli vijnë për të ushtruar prostitucion shtetaset (R.C.; D.Gj.; M.K.; S.R.; E.G.; S.H.; E.I.; dhe D.D.), të cilat pasi sigurojnë klientët në ambiente të ndryshme dhe bien dakord për pagesën, i cili varion nga 1000-4000 lekë të rinj, i drejtojnë klientët për nga hoteli, me qëllim kryerjen e marrëdhënieve seksuale. Këto vajza kanë rënë dakord me shtetasen S.S, si edhe me persona të tjerë (V. K., E. Xh.) që do t’u japin atyre gjysmën e pagesës që kanë rënë dakord me klientin, me qëllim përdorimin e dhomave të këtij hoteli. Në momentin që vajzat hipin në dhoma për të kryer marrëdhënie seksuale, shtetasja S. S. qëndron jashtë, e ulur në një tavolinë, me qëllim që të kontrollojë lëvizjet e vajzave dhe personave që hipin në dhomat e hotelit.





